“Juri Gagarin në hapësirë. E ç’na mbetet ne tokësorëve?” Çfarë shkruante Indro Montaneli në vitin 1961

Nga Indro Montanelli

Marketing

Unë mendoj se nuk ka asgjë hipokrite apo konvencionale në ngazëllimin e gjithë botës, për aventurën e parë të njeriut në kozmos, që për fat përfundoi kaq mirë. Ndoshta dikush do të preferonte që protagonisti të ishte amerikan dhe jo rus. Por kjo është një konsideratë dytësore dhe, në fund të fundit, aq e mjerë, sa askush nuk guxoi ta formulojë. Ne nuk kishim kohë të ndiheshim solidarë me Yuri Gagàrinin ndërsa fluturonte treqind kilometra larg nga Toka, thjesht sepse në atë kohë ne nuk e dinim që ai po fluturonte. Por lajmi për kthimin e tij në planetin e origjinës (oh po, tani e tutje do të duhet të mësohemi të flasim dhe arsyetojmë në këto terma), na ka mbushur me krenari. Njeriu doli nga “habitati” i tij, vuri një hipotekë në hapësirë, shpalli të drejtat e tij mbi tërë kozmosin. Dhe këtu ndalem për të mos u zhytur në retorikë: nuk ka asgjë më të keqe, se ajo e frymëzuar nga arritjet e mëdha të shkencës.

E megjithatë, nëse duam që vërtet të flasim me dorë në zemër, ngazëllimi dhe krenaria nuk përjashtojnë, në zemrat e njerëzve, një farë hutimi dhe një frikë të paqartë, nuk e dimë mirë se nga çfarë, por nga diçka vjen. Ne nuk e themi, mbase nga turpi; por e lexojmë atë në sytë e njëri-tjetrit, dhe kjo krijon midis nesh, midis ne “tokësorëve”, një lloj omertà-je të errët.

Eshtë një ndjenjë e pasaktësueshme dhe e përzierë, që nuk analizohet kollaj. Po marr rastin tim, jo sepse e konsideroj një përjashtim, por pikërisht sepse nuk është kështu, dhe për këtë arsye shumë lexues do të jenë në gjendje të njohin rastin e tyre. Çfarë përfaqëson për mua aventura astronautike e Yuri Gagàrinit, përveç daljes së njeriut nga “habitati” i tij, hipotekës në hapësirë, etj? Ajo përfaqëson asgjësimin e të gjitha atyre përvojave personale, nga të cilat nxirrja ndonjë motiv kënaqësie.

Në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç më shihnin si një djalë të guximshëm, sepse përshkoja me biçikletë rrugën, nga Fucecchio në Firence. Kur mbusha 22 vjeç krijova një reputacion si aventurier, sepse shkova për të studiuar në Paris, prej atje emigrova në Norvegji dhe Kanada, dhe u ktheva në atdheun tim, i rrethuar nga një aureolë salgariane. Mendoja me krenari: “Imagjino se sa gjëra do të më duhet t’u rrëfej nipërve kur të plakem!” Nuk do të kem kurrë nipër e mbesa, sepse nuk kam pasur fëmijë, të paktën të ligjshëm. Por, me sa bëma të tjera jam përballur në jetën time, pothuajse vetëm prej shijes që do të më jepte, kur t’ua tregoja një ditë nipërve, që në fakt nuk do i kem? Dhe në këtë kuptim, është fat i madh që nuk i kam, sepse, pas kësaj që bëri Yuri Gagarini, ata as nuk do të ma vinin veshin.

Astronauti e ka bërë të parëndësishëm, turizmin tim të çmendur prej gazetari bredharak, udhëtimet e mia të përsëritura botërore dhe të gjitha përvojat që kam marrë prej tyre. O Zot, ato janë thjesht “tokësore”. Dhe çfarë mund të gjejë tek to, për të mësuar, apo edhe thjesht për kërshëri, një gjeneratë që jeton tashmë me sytë në Hënë dhe Mars? Yuri Gagàrini më bëri gjyshin e vetes sime. Që kur u kthye nga fluturimi i tij në orbitë, sa herë që hap gojën, më duket se dëgjoj babanë e babait tim, i cili për gjithë jetën vazhdoi të tregonte udhëtimin e tij të famshëm nga Fucecchio në Romë, udhëtim i cili të famshëm kishte vetëm një fakt: treni mbërriti në Romë brenda vetëm tetëmbëdhjetë orëve, tamam siç premtonte orari i hekurudhave.

Përparimi, natyrisht, bën që përvojat e një njeriu të tejkalohen në sytë e djalit të tij. Por ajo që ka bërë Gagarini jo vetëm që i tejkalon tonat, ajo madje i zbraz dhe i fshin ato. Eshtë sikur, befas, ato na gjymtojnë nga e kaluara jonë, duke i hequr asaj çdo kuptim e domethënie. Na mbërthen dyshimi se mos ne kemi jetuar kot, ne që kemi jetuar vetëm në këtë tokë, nga kjo tokë dhe për këtë tokë. E përsëris: është një ndjenjë hutimi dhe paqartësie, të cilën nuk guxojmë t’ia rrëfejmë as vetes sonë. Por ajo ekziston. Ne e lexojmë në sytë e njëri-tjetrit. Eshtë bashkëfajësia jonë tokësore.

Por ekziston dhe një tjetër ndjenjë, edhe ajo e parrëfyer dhe vështirë e rrëfyeshme: frika. Misteri i universit nuk na ngjallte më frikë, sepse me të ishim mësuar tashmë. Ne kemi lindur duke ditur se nuk dijmë dhe me bindjen se nuk do të mundnim kurrë të dinim. Sado të mëdha dhe të shpejta të ishin përparimet që shkenca realizonte mu përpara syve tanë, mbetej brenda nesh bindja e thellë, mbase supersticioze, se përtej limiteve të “habitatit” tonë, ne njerëzit nuk do të mund të shkonim. Ishim të bindur se do të mund të shpiknim pajisje për të parë, prekur, dëgjuar botët e tjera; por që të shkonim ne vetë, përtej kufijve të botës sonë, këtë jo, nuk e kishim imagjinuar. Në këtë pikë shkenca, besonim ne, duhej që të ndalej për t’i lënë vend nuhatjes poetike, spekulimit filozofik dhe mbi të gjitha, zbulimit fetar që i përmbledh të dyja. Ajo errësirë e madhe që na rrethonte, na mbante ngrohtë si një batanie, me të cilën ishte këndshëm të flije dhe ëndërroje. Por ja tek del Yuri Gagarini, që shkon dhe ndez llampën e parë.

Prej shumë kohësh e dinim se kishte në Rusi dhe në Amerikë, Gagarinë që stërviteshin për ta bërë. Por nuk ishim të bindur që do ia dilnin, dhe pastaj nuk na dhanë kohë të përgatiteshim për faktin e kryer. Tashmë nuk ka arsye të kemi dyshime: njeriu shkon në hapësirë dhe do të vazhdojë të shkojë, deri kur t’i përgjigjet pyetjes, të cilës shpresonim të mos i përgjigjeshim kurrë: a jemi të vetëm, apo jo?

Le ta lëmë fantashkencën dhe hamendësimet. Të qëndrojmë tek ndjenjat tona tokësore. Ne jemi kaq të papërgatitur për ta zgjidhur këtë dyshim, saqë nuk dimë as çfarë t’i urojmë vetes sonë. Kur pyes veten, kuptoj se të dyja hipotezat më shkaktojnë njësoj frikë. Ideja që ne jemi të vetmet qenie të gjalla inteligjente në këtë kozmos kaq të madh, në këtë pafundësi botësh të cilës nuk i gjen dot as fillimin e as fundin, më tmerron jo. Më pak se sa dyshimi që ka të tjerë, që kushedi si janë të ndërtuar dhe me të cilët, herët a vonë do të duhet të takohemi.

Po, kam frikë. Kam sinqerisht frikë nga kjo aventurë, që Gagarini e nisi me fluturimin e tij të guximshëm. Ndoshta është e njëjta ndjenjë joracionale dhe absurde, që ndjenë baballarët tanë kur mësuan se disa anije kishin kaluar kolonat e Herkulit dhe kishin zbuluar hemisferën tjetër. Megjithatë, nuk është vetëm e imja kjo ndjenjë. Ajo nuk zhvlerëson ngazëllimin për hipotekën që njeriu vuri në hapësirë, që mbetet e vërtetë dhe e sinqertë. Por ajo bashkëjeton me ne. Ndoshta prej paragjykimeve, zakoneve, supersticioneve; por në kolonat e Herkulit që Gagarini guxoi të shkelë, ne kemi lexuar gjithmonë, apo kemi besuar se kemi lexuar, në imagjinatë, tabelën “mos kalo”, dhe për momentin nuk arrijmë të çlirohemi nga një kompleks i paqartë dhe i papërcaktuar sakrilegji.

Ne shkruajmë për një gazetë ku fjalët rrojnë vetëm 24 orë. Kështu që, nuk ka rrezik që të miat të hyjnë në përjetësi dhe brezat e ardhshëm të qeshin. Por pikërisht kjo na mundëson që të jemi të sinqertë deri në fund. Kështu ndjej që të them, atë që të tjerë e kanë menduar dhe që kjo sipërmarrje e Gagarinit, përtej solidaritetit me njeriun dhe krenarisë për arritjet e tij, ka nxitur tek unë një lloj dashurie të dëshpëruar për Tokën, për Tokën tonë të mirë, që kurrë nuk më ishte dukur kaq e bukur, kaq e pasur, kaq e plotë, se sa në momentin kur njeriu i parë e braktisi, qoftë edhe për vetëm një orë.

Ashtu sikurse vetëdijësohem se sa e dua, si do të eci me qejf mbi të, siç do të jem i kënaqur që herë pas here edhe të pengohem, se si më mbush me gëzim ideja që nuk jetoj në kohën kur, do të varrosem gjetkë dhe jo në Tokë. Nuk e dija që i kisha këto ndjenja. Gagarini mbi zbuloi. Në fund të fundit, i jam mirënjohës.

Ky shkrim i Indro Montanellit është botuar në numrin e datës 14 prill 1961 të të përditshmes italiane, “Corriere della Sera” – Në shqip nga bota.al

Marketing