Juventusi insiston për Mauro Icardin

Pavarësisht se nuk ia doli ta veshë bardhezi gjatë merkatos së verës, Drejtori Sportiv i Juventusit Fabio Paratici nuk e ka harruar Mauro Icadin dhe rendimenti i ulët i Gonzalo Higuain ka bërë që të mendohet gjithnjë e më tepër për ish kapitenin e Interit.

Marketing

Sulmuesi argjentinas e nisi mirë aventurën e tij te PSG, ku është në huazim me të drejtë blerjeje për shifrën e 70 milionë eurove, ndërsa ka prekur shifrën e 18 golave sezonalë, ndonëse në 6 ndeshjet e fundit e ka shtyrë vetëm një herë topin në rrjetë.

Megjithatë në Francë nuk duken të bindur për të paguar 70 milionë euro për Icardin, kjo edhe për shkak të raportit të tij të vështirë me Neymar dhe yje të tjerë të klubit kryeqytetas, ndaj Paratici po studion mundësitë për ta veshur argjentinasin bardhezi.

Kështu sipas mediave italiane, drejtuesit e Juves duan të shmangin çdo kontakt me Interin dhe për këtë arsye i kanë kërkuar Leonardos që të paguajë 70 milionë eurot për Icardin dhe më pas të negociojnë transferimin e tij te bardhezinjtë.
Në këtë pikë drejtuesi brazilian është shprehur i gatshëm, por me kushtin që në marrëveshjen e kalimit të Icardit në Torino, të përfshihet edhe transferimi i Miralem Pjaniç te kampionët e Francës, pasi boshnjaku është një preferencë e hershme e Leonardos.

Gjithsesi vlen të theksohet se merkatoja e verës është ende larg dhe deri atëherë drejtuesit e të dy klubeve kanë kohën e mjaftueshme për të gjetur një akord, ndërsa Interi bën rolin e spektatorit dhe pret arkëtimin e parave për kartonin e sulmuesit.