Kadriu: Ivanov shkeli Kushtetutën me atë që nuk e firmosi ligjin e gjuhëve

Osman Kadriu, anëtar i Gjykatës Kushtetuese në një prononcim për Radio Europa e Lirë ka dhënë vlerësimin e tij si profesor i së Drejtës Kushtetuese, mbi debatin se kush e ka shkelur Kushtetutën në procesin e miratimit të ligjit të gjuhëve.

Marketing

Ai theskon se kreu i shtetit është ai që ka shkelur Kushtetutën, me mosnënshkrimin e ligjit të gjuhëve pas votimit të dytë në Parlament.

“Presidenti Ivanov është ai që e ka shkelur Kushtetutën me atë që nuk e firmosi ligjin. Pra, kemi të bëjmë me shkelje flagrante nga ana e presidentit dhe në këtë rast ai ka dy lloje të përgjegjësisë, politike që nënkupton impiçmentin, por edhe përgjegjësinë penale. Dispozita kushtetuese është shumë e qartë. Kushtetutë-dhënësi me nenin 75 parashikon që presidenti është i obliguar që në rrethin e dytë për ta nënshkruar, por këtu nuk është parashikuar se çfarë mund të ndodhë nëse edhe në rrethin e dytë ai refuzon që këtë ta bëjë. Këtë hartuesit e Kushtetutës nuk e kanë paraparë”, thotë Kadriu.

Sipas tij, Maqedonia në këtë rast duhet të ndjekë përvojat e shteteve tjera, mjafton edhe të fqinjëve të saj si Kosovës, Shqipërisë e Serbisë ku qartë në kushtetutat e tyre parashihet hyrja në fuqi me automatizëm e ligjeve nëse presidenti nuk i nënshkruan ligjet pas kalimit të dytë në Parlament.

Përndryshe, Ligji për gjuhët avancon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në të gjitha institucionet qendrore, si në Qeveri, Kuvend, Gjyqësor, administratë, e ndërmarrjen tjera shtetërore e publike, si në të folur ashtu edhe në të shkruar.

Marketing