Kanada mbështet Kosovën, Pacolli shpreh mirënjohje

Këtë muaj, Republika e Kosovës dhe Kanada shënojnë dhjetëvjetorin e themelimit të marrëdhënieve diplomatike.

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, përmes një statusi në Facebook përkujton se para dy dekadash, Kanada si vend anëtar i NATO-së, ishte përkrahëse e fuqishme e ndërhyrjes së Aleancës Veri-atlantike kundër forcave kriminale serbe në Kosovë dhe përkrahja e këtij vendi vazhdoj me pranimin e afër 7 mijë qytetarëve të zhvendosur dhunshëm nga shtëpitë dhe atdheu i tyre.

“Kanada ofroi përkrahje të fuqishme për procesin e pavarësisë dhe njohjen e menjëhershme të përcaktimit tonë. Përgjatë këtij dhjetëvjeçari, Kanada, si demokraci model inspirimi për ne, ka ofruar mbështetje të vazhdueshme në të gjitha aspektet për Kosovën”, shkruan Pacolli.

Ai me këtë rast falënderon dhe shpreh mirënjohje të thellë deputetes së Parlamentit kanadez, Anita Vandenbeld, aktualisht kryesuese e Grupit Parlamentar të Miqësisë me Parlamentin e Kosovës, për fjalën e saj në respekt dhe promovim të marrëdhënieve bilaterale.

“Ne jemi thellësisht mirënjohës dhe krenarë për përkrahjen e këtij vendi dhe për marrëdhëniet tona të shkëlqyera”, shkruan Pacolli.