Ka ditë që përflitet emri i mundshëm i presidentit të ri të vendit. Që kur emri i ish-ministrit të jashtëm Denko Malevski nisi të përflitet si president konsensual, filluan të dalin edhe emra të tjerë të mundshëm për kryetar të shtetit. Mes tyre janë Teuta Arifi, Stevo Pendarovski e Trajko Sllavevki. Por a ka kryeministri Zoran Zaev propozim konkret për president, ose a ka nisur të bisedojë me liderët e partive politike për këtë çështje?

 

I kontaktuar nga TV21, Zaev tha se “për këtë nuk do të nisë të bisedojë me askënd deri sa në Kuvend nuk përfundon procedura për ndryshimet kushtetuese”. Nëse kryeministri Zoran Zaev ende nuk e ka një emër konkret për president konsensual, qytetarët kanë mendimin e tyre. Ja se çfarë thonë: “Teuta Arifi”,

 

“Gjorgje Ivanov, për herë të tretë, ai është maqedonasi më i mirë dhe duhet të vazhdojë”. “Është ende herët, do të shohim çfarë do të thonë partitë politike”. “Si quhej ai me syze që kandidoi nga LSDM. Pendarovski, Stevo Pendarovski”. “Nga kjo që shoh në skenën politike, asnjë, asnjë nuk është dëshmuar si burrështetas”. “Talat Xhaferi”.“Fërçkovski”.

“Konkretisht nuk e di, politika është politikë, kush e si, tashmë duhet të vinte një shqiptar. Pse? Sepse tani është koha”, thanë disa qytetarë. Pas 10 vjetëve në krye të shtetit, në prill të vitit të ardhshëm presidentit Ivanov i skadon mandati. Presidenti i ri kërkohet të jetë një figurë për të cilën do të pajtoheshin të gjitha partitë parlamentare në vend, megjithatë asnjëra deri më tani nuk ka dalë me propozim konkret, e kjo gjë me sa duket nuk do të ndodhë para se të bëhen ndryshimet kushtetuese./TV21