Kandidati për eurokomisiar për zgjerim, në test para eurodeputetëve


Pas austriakut Johannes Hahn, politika e zgjerimit të Bashkimit Europian pritet të udhëhiqet nga “buldozeri” i Hungarisë në Bruksel, Olivér Várheli pasi komisioni për çështje ligjore i Parlamentit Evropian ka konstatuar se nuk ka konflikt interesi.
Ai do të marrë detyrë në një kohë kur zgjerimi është kthyer në “pataten e nxehtë” të Brukselit, për shkak të refuzimit të Francës dhe Holadës për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por ndryshe nga Hahn, qëndrimi i komisionerit hungarez pritet të jetë sipas medieve vendase, shumë më kërkues dhe i ashpër.
Vetë Kandidati për eurokomisar të zgjerimit të BE-së, hungarezi Oliver Varheli, ka deklaruar se Ballkani Perëndimor duhet të ketë perspektivë kredibile për hyrje në BE, sepse ky është interesi gjeopolitik evropian.
BE-ja duhet të jetë e gatshme ta pranojë rajonin, ndërsa reformat e brendshme mund të shkojnë paralelisht me zgjerimin e Unionit, rekomandoi kandidati për eurokomisar për zgjerim të BE-së, duke u përgjigjur në pyetjen e deputetëve evropianë gjatë seancës dëgjimore që kishte për qëllim pranimin e emërimit të tij si komisar të zgjerimit në përbërjen e re të KE-së.
Ai u zotua se menjëherë pas emërimit të tij do të inkuadrohet të bisedojë me “Shtetet skeptike” ndaj zgjerimit të BE-së dhe vlerësoi se shqetësimi kryesor në këto vende është çështja e sundimit të së drejtës dhe këtë e paralajmëroi si faktor kryesor gjatë angazhimit në Ballkanin Perëndimor.
“Derisa nuk ka përparim në sundimin e së drejtës, nuk do të ketë përparim në aderimin drejt BE-së.” theksoi Varheli duke paralajmëruar se në rast kthimi mbrapsht në përmbushjen e kritereve që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës, atëherë do të ketë pezullim të ndihmës financiare paraqasëse.
Duke komentuar paralajmërimin e metodologjisë së re për fillimin e bisedimeve, kandidati për euro komisar të ardhshëm për zgjerim i BE-së, theksoi se nuk ka nevojë të ndryshojë e gjithë korniza e bisedimeve.
“Metodologjia duhet të përmirësohet. Nuk duhet ta vëmë në pikëpyetje gjithë kornizën negociuese. Do të ketë dinamikë për vendet që përparojnë më shpejt me reformat, dhe ngadalësim për ato që do të ngecin” Tha Varheli.
Gjatë javës së ardhshme pritet që deputetët e PE-së të votojnë në paketë, pro ose kundër gjithë përbërjes së re të komisionit Evropian. Kryetarja e këtij komisioni, Ursula Von Der Lejen shpreson që ekipi i saj do mund të fillojë me punë në 1 dhjetor.

Marketing
Marketing