Kasami: Mosmarrja e datës, dështim i Qeverisë, nevojiten zgjedhje të parakohshme

Kryetari i partisë Lëvizja Besa, Bilall Kasami e vlerësoi si dështim të Qeverisë mosmarrjen e datës për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian dhe kërkoi dorëheqje të Qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Marketing

Në konferencën e sotme për shtyp në selinë e partisë në Tetovë Kasami theksoi se Lëvizja Besa paralajmëroi se nuk është bërë sa duhet që të merret data për fillimin e negociatave.

“Edhe pse kjo qeveri erdhi me premtime të shumta, ajo thuajse nuk është duke realizuar asgjë dhe vendin e çoi shumë hapa prapa. Nga dita e sotme, vendi është në krizë shumë të thellë dhe kapërcimi i kësaj krize zgjidhet duke dhënë dorëheqje kolektive ky kabinet qeveritar dhe vendi sa më shpejt të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, tha Kasami.

“Besa, edhe pse parti opozitare, gjatë gjithë kohës u ka bërë thirrje instituciоnеve të BE-së që gjatë vendimmarrjes për rrugëtimin e mëtutjeshëm të vendit drejt BE-së, të kenë parasysh interesin dhe orientimin euro-atlantik të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, pa dallim përkatësisë së tyre etnike. Por si duket edhe njëherë dështimet e qeverisë ishin shumë më të mëdha sesa gatishmëria e disa vendeve evropiane për të na pranuar në BE”, tha Kasami.

Sipas liderit të kësaj partie opozitare, tashmë shihet kriza politike në shtet.

“Krizën e thellë në të cilën gjendet Maqedonia e Veriut pas dështimit të radhës të kësaj qeverie e tregon më së miri edhe ftesa e presidentit për takim liderësh ditën e diel. Lëvizja BESA qëndrimin e saj për daljen nga kriza do ta paraqesë edhe në takimin e liderëve dhe do të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare”, theksoi Kasami.

Marketing