Kate Middleton në një intervistë të rrallë për mëmësinë dhe fëmijërinë

Kate Middleton, ka folur për më shumë se 30 minuta për mëmësinë, fëmijërinë e saj dhe pasionet e hershme, në një episod special të podcastit të Giovanna Fletcher, “Happy Mum, Happy Baby”.

Marketing

Në një intervistë e cila u cilësua si shumë e sinqertë, Dukesha foli hapur për tre fëmijët e saj, George, Charlotte dhe Louis. Ajo rrëfeu edhe për gjyshen e saj, edukimin që dëshiron t’u përcjellë fëmijëve dhe dashurinë për të kaluar kohë jashtë.

“Unë kisha një gjyshe të mrekullueshme, e cila na kushtoi shumë kohë. Luante me ne, bënte art dhe punime dore, na çonte në sera, gatuante me ne… Prandaj unë përpiqem të përfshij shumë nga aktivitetet që ajo bënte me ne, në kohën që kaloj me fëmijët e mi”, -shprehet Kate.

“Ka shumë vende ku mund ta kalosh kohën, një shtëpi e lumtur, një mjedis i sigurt. Në fëmijëri ne kalonim shumë kohë jashtë dhe kjo është diçka të cilën e pëlqej shumë. Mendoj se është diçka shumë e mirë për mirëqenien fizike dhe mendore”, -shtoi dukesha.

Po ashtu, Kate pranoi se ndihet shpesh fajtore kur i duhet të largohet nga fëmijët dhe të udhëtojë për shkak të punëve dhe detyrave të saj.