Kur kanë mbetur edhe disa javë deri tek zgjedhjet për presidentin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, tanimë janë mësuar emrat e katër kandidatëve të cilët do të garojnë për të parin e FFM-së, raporton Insporti duke cituar mediat nga Maqedonia.

Edhe pse nënkryetari aktual i kësaj federate Muhamet Sejdini është u.d. i Kryetarit, edhe pse dy ekipe shqiptare po garojnë në Evropë këtë vit ku po përfaqësojnë Maqedoninë, duket se shqiptarët nuk kanë mbërri të organizohen në atë masë sa të përkrahin një pretendent të fuqishëm për Kryetar.

Për postin e Kryetarit, zyrtarisht do të garojnë ish-presidenti i FFM-së Haralampie Haxhiristevski, Vllatko Kostov, Vujadin Stanojkoviq dhe Sashko Tasev.

Sipas asaj që bëjnë të ditur nga FFM-ja, afati i kandidimit do të përfundojë sot, por do të duhet do priten edhe kandidatura tjera të mundshme që mund të dorëzohen me postë.

Ky kuvend është thirrur pas dorëheqjes së Illço Gjorgjioskit, me këtë të fundit i cili pritet të angazhohet si këshilltar i presidentit të UEFA-s Aleksandar Çeferin. Kuvendi i jashtëzakonshëm zgjedhor i FFM-së do të mbahet me 1 shtator.