Kathimerini: Ankara kushtëzon Shkupin në rrugën drejt NATO-s

Turqia thuhet se po kërcënon të shtyjë ratifikimin e protokollit për hyrjen e Maqedonisë Veriore në NATO, nëse vendi nuk ekstradon 15 qytetarë turq, të akuzuar për pjesëmarrje në një grusht-shtet të dështuar në Turqi në 2016, shkruan e përditshmja greke Kathimerini.

Marketing

Sipas gazetës, Ankara po kërkon ekstradimin e shtetasve turq, të cilët besohen nga autoritetet e Turqisë se i takojnë rrjetit të Fetullah Gylenit, të cilin autoritetet në Turqi e akuzojnë për organizimin e një përpjekjeje të grusht-shtetit.
Kjo çështje u nis edhe nga ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar gjatë një vizite zyrtare në Shkup më 3 prill.

Kathimerini shkruan se kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, hodhi poshtë kërkesat e Ankarasë dhe mori mbështetje nga zyrtarët evropianë, të cilët gjithashtu i bënë thirrje qeverisë në Shkup të respektojë të drejtat e njeriut të këtyre 15 qytetarëve turq.

Megjithatë, sipas Kathimerini, ministrja e Mbrojtjes së Maqedonisë Veriore, Radmila Sheqerinska, tha në një intervistë televizive se ‘Turqia ka nevojë për ratifikimin e protokollit të pranimit në NATO’.

Ankara po negocion gjithashtu me Athinën mbi fatin e tetë ushtarëve turq, të cilët Turqia po i akuzon për pjesëmarrje në një grusht-shtet.

Në shkurt të këtij viti, agjencia turke e lajmeve Anadolia njoftoi se qeveria turke kishte ofruar 5.6 milionë euro për kthimin e oficerëve turq, të cilët kanë marrë azil në Greqi.