KE-ja do të rekomandojë fillimin e negociatave

Në bazë të progresit të arritur, Komisioni Evropian rekomandon hapjen e negociatave të anëtarësimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut.” Këto janë fjalët kyçe të Raportit të Progresit që do të shpalosen të mërkurën nga Komisioni Evropian. Televizioni ALSAT mëson nga burimet e tij se Maqedonia e Veriut, siç shkruan në raport, ka arritur rezultate të prekshme dhe thelbësore në shumë fusha, dhe ky rekomandim, pas disa vitesh, më në fund akordohet pa asnjë kushtëzim.

Marketing

Raporti i KE-së për Maqedoninë e Veriut

Në bazë të progresit të arritur, Komisioni Evropian rekomandon hapjen e negociatave të anëtarësimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Maqedonia e Veriut ka arritur rezultate të prekshme dhe thelbësore.
Burimet e Alsat, thonë se rekomandimi që do të merret nesër për çeljen e negociatave për anëtarësim, akordohet falë valorizimit të sukseseve në fushën e politikës së jashtme, Marrëveshjen e Prespës dhe zgjidhjen përfundimtare të çështjes së emrit me fqinjin jugor Greqinë, marrëveshjen me Bullgarinë, si dhe reformat e tjera veçanërisht në shërbimet e sigurisë. Po ashtu, mësohet se me notë pozitive të mjaftueshme është vlerësuar edhe progresi në administratën publike dhe gjyqësor.

Komisioni Evropian, siç është thënë disa herë nga zyrtarët e BE-së, synon që Maqedoninë e Veriut ta prezantojë bashkë me Shqipërinë. Me këtë rast, kjo duket të jetë e vetmja pengesë për vendimin pozitiv për marrjen e datës në qershor. Sipas burimeve të Alsat, Tirana zyrtare pritet të marrë rekomandim pozitiv, por me notën e kushtëzuar me reformat.

Raporti i KE-së për Shqipërinë

“Duke pasur në konsideratë vendosshmërinë e Shqipërisë… Komisioni Evropian rekomandon hapjen e negociatave për anëtarësim. Por, Shqipëria duhet të vazhdojë të shënojë hapa të dukshëm në fushën e krimit të organizuar, korrupsionit… Një konsensus më i fuqishëm kombëtar nevojitet për të bërë prioritet procesin e BE-së.”

Aktualisht, Franca mbetet kundër hapjes së negociatave me të dyja vendet por ky qëndrim mund të ndryshojë deri në samitin e ministrave të Jashtëm në qershor. Këtë shpresë të lidershipit në Maqedoni e reflektoi edhe presidenti Stevo Pendarovski në takimin me raportuesin për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, eurodeputetin Ivo Vajgëll. Raporti i Progresit i Komisionit Evropian do të prezantohet zyrtarisht të mërkurën në orën 11:00, ndërsa gjatë ditës, ambasadori i BE-së në Shkup do t’u dorëzoj zyrtarisht institucioneve vendore, nga një kopje të tij.

Marketing