Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, nga Brukseli porositi se pret që në Maqedoni të votojnë në referendum pa përzierje të jashtme, raporton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

“BE e mbështeti marrëveshjen e arritur për emrin, tani duhet të bëhen një varg hapash që marrëveshja të jetë definitive. Referendumi është momenti kur populli mund ta shfrytëzojë të drejtën e tij demokratike, ky është moment i rëndësishëm për ta që të vendosin për të ardhmen e vendit të tyre dhe duhet t’iu mundësohet që këtë ta bëjnë pas përzierje nga jashtë”, deklaroi Kocijançiç.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për atë se a i ndihmon KE-ja Maqedonisë që të luftojë kundër lajmeve të mundshme të rreme nga faktorë të jashtëm dhe përzierje në fushatë, Kocijançiç porositi se shërbimet evropiane po i ndajnë praktikat e tyre më të mira në këtë lëmi me partnerët e saj, por se organizimi i referendumit është para së gjithash në duart e shtetit si vend sovran.