Kërçovë, sonte shfaqet drama “Bac u kry amaneti”

Shfaqja “Bac u kry amaneti” për nga pesha skenike ka të bëjë me një tregim poetik mbi Kosovën. Autorët Ali Podrimja e Din Mehmeti janë dy poetët ku për çudinë e gjithkujt, ditën të jenë jo vetëm njerëz të letrave shqipe, po njëkohësisht dhe parashikues të asaj që do të ndodhte 30 vjet me vonë.

Marketing

“Në këtë shfaqje bashkë me fjalën e zgjedhur nga leksikologjia e gegnishtes mjaft vrullshëm gërshetohet poetika me emocionet. Ngjarjet vijnë natyrshëm e në sintoni të plotë me vërtetësinë reale të ngjarjeve tragjike që tronditen viset e qytetëruara kur ato u bënë publike.

Ky spektakël dramatik të jep përshtypjen e një vetë-pajtimi me robërinë që tanimë rri mbi kokë si një xhelat i gatshëm të presë koka nëse ajo do të ngrejë sytë lart për të kërkuar lirinë. Me ikjen edhe ardhjen e njëpasnjëshme të ngjarjeve fillon e ndërtohet kështjella kosovare, jo si ne legjendën e Rozafës, por si ne legjendën e Kullës së Jasharajve. Ku çdo gur i stërpikur me gjak heronjsh është një amalgamë e ardhshme në lindjen e Kosovës së lirë e sovrane. Diçka po jep shpirt e diçka po lind “, thotë interpretuesja Mimoza Marjanaku.

“Me këtë shprehje ajo i hap rrugën Kosovës se etur për liri e që do e fitojë me shumë dhimbje e gjak. Por prapë shqiptarët s’janë të qetë. Është plaga tjetër që nuk mbyllet po kullon gjak e klith në emrin e mijëra të vrarëve e të dëbuarve nga viset e tyre”, sqaron drejtori i shtëpisë së kulturës “Koço Racin”, Mazllam Osmani lidhur me shfaqen e sontme.

Në këtë shfaqje interpretojnë Bruno Shllaku, Mimoza Marjanaku, Dana Xhaj, Gjovalin Kolaj, Megi Kolaj dhe Marviks Shantoja me regjisor Bruno Shllaku. Shfaqja do të jepet sonte në Shtëpinë e kulturës në Kërçovë me fillim në ora 20.