Kërçovë, sonte vjen shfaqja teatrale “Gratë”

Në Shtëpinë e Kulturës në Kërçovë sonte do të shfaqet shfaqja “Gratë” e regjisorit Qëndrim Rijani.

Drama “Gratë” është e llojit të zhanrit që mund të përkufizohet mes trilerit dhe komedisë së zezë. Mbase edhe vetë regjisori e ka nuhatur që kjo dramë cilësore është e denjë për t’u ngjitur fillimisht në skenën e Teatrit Shqiptar në Shkup. Pjesa dramatike është shkruar në vitin 1961 nga autori francez Robert Thomas.

Karakteret janë të ndërtuar sipas kërkesës që imponojnë rrethanat e caktuara. Brenda fabulës shihet ballafaqimi imediat me të keqen, fati i nënës, i motrës, i bijës që ndihet e tradhtuar, e zhgënjyer, e braktisur, e futur në ankth kur gjatë një jete pasojnë keqtrajtimet, kushtëzimet, devijimet, incestet, homoseksualizmi etj.

Momentet e trishta dhe rrëqethëse të kësaj shfaqjeje, janë çastet kur personazhet rrëfejnë lidhjet dashurore me njeriun që ishin në afri gjaku. Incesti është njëri ndër çështjet më të rënda të shoqërisë njerëzore, prandaj autori, por edhe regjisori i shfaqjes gjen mënyrën e duhur për ta parandaluar këtë dukuri të shëmtuar të shoqërisë njerëzore sqaron drejtori i Shtëpisë së kulturës Mazllam Osmani.

Për mishërimin e karaktereve regjisori me shumë sens ka angazhuar një grup aktoresh me përvojë, për t’i realizuar me sukses karakteret. Në dramë do të shikojmë gjallërinë e aktores së dëshmuar në çdo shfaqje që nga fillimi i karrierës së saj Teuta Ajdini-Jegeni, Drita Karaba si një figurë markante, thellimin e tërë qenies së saj në ndodhinë, interpretimin që të dhuron përshtypjen se ngjarja ndodh aty për aty, një mjeshtre aktrimi që do të mbetej për t’u dëshiruar në çdo skenë teatrore, figurën e realizuar emocionalisht të Linda Saitit, energjinë e Vjollca Bekteshit, dinjitetin skenik të Amernis Nokshiqit, gjestikulacionet, dinakërinë e saj prej aktoreje, ose si do ta quaja unë fluturën e shfaqjes Aida Elezi, figurën sharmante të Aida Alidemit dhe emocionin që përcjell Xaka Jonuzi-Çeliku.

Në tërë dramën nuk mungon befasia reale, befasia e veprimeve që përbën drama dhe sigurisht as befasia artistike. Padyshim se edhe në skenografinë e Fatos Bakallit nuk lënë për të dëshiruar kërkesat e skenës. Aty në skenë bindshëm mishërohen idetë. Skenografia ku shihen gratë e tubuara si në një koshere bletësh, është zgjidhje kulminante, befasuese dhe e mirëfilltë për lëvizjet dhe veprimet e aktoreve.

Muzika e kompozuar enkas për këtë shfaqje teatrore, realizohet me sukses nga kompozitori Fatos Lumani. Drama “Gratë” do shfaqet sonte në skenën e pallatit të kulturës në Kërçovë me fillim në ora 19.00.

evn