Maqedonia akoma po e përpilon kërkesën voluminoze prej 400 fletëve, për ekstradimin e të arratisurit Nikolla Gruevski, i cili ka kërkuar azil politik në Hungari. Nga Ministria e Drejtësisë nuk duan të prononcohen për procedurën e ekstradimit deri në përpilimin e plotë të kërkesës. Sipas tyre, mungesa e një marrëveshjeje mes Maqedonisë dhe Hungarisë për ekstradim, do të mbulohet me Ligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar dhe Konventën Evropiane për Ekstradim. Ndërkohë Qeveria Hungareze i është përgjigjur pyetjeve të televizionit Alsat në lidhje me vendndodhjen e Gruevskit, duke mos saktësuar nëse ish-kryeministri në arrati, vazhdon që qëndrojë ende në Hungari apo e ka vazhduar rrugën për në ndonjë shtet tjetër. Nuk pati përgjigje të prerë nëse Gruevskit do t’i pranohet ose jo kërkesa e azilit.

Qeveria e Hungarisë të mërkurën konfirmoi se ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ka adresuar një kërkesë për azil drejt autoriteteve hungareze në Budapest dhe kërkesa e tij është duke u vlerësuar nga Zyra për Azil dhe Emigracion në pajtim me ligjin hungarez dhe ndërkombëtar – tha Qeveria e Hungarisë.

Ndërkohë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë thonë se Nikolla Gruevski akoma ndodhet në Hungari dhe se atje po e pret vendimin e organeve hungareze për azil.

Sipas të dhënave që i kemi në dispozicion dhe sipas bisedave me MPB-në e Hungarisë, Gruevski ndodhet në Hungari ku po e pret vendimin e organeve për kërkesën e tij për azil – tha Ministria e Punëve të Brendshme.

Sa i përket mënyrës së arratisjes së Gruevskit, nga MPB-ja bëjnë me dije se kanë mbledhur mjaftueshëm informata dhe se tani janë në procesin e vërtetimit të të dhënave që i posedojnë. Të njëjtat do të bëhen publike kur të mbarojë hetimi, thonë nga ky dikaster. Ndërkaq mediat e huaja raportojnë se Gruevski e ka lëshuar Hungarinë dhe se ka vazhduar rrugën për në një destinacion tjetër, i cili dyshohet të jetë Rusia. Pavarësisht kësaj, deri në statusin e tij të ardhshëm në Facebook, vendndodhja e Gruevskit mbetet enigmë. I njëjti me sukses arriti që të arratiset nga Maqedonia me ndihmën e një veture diplomatike të Hungarisë. Ai kishte zgjedhur Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë për të arritur në Hungari. Autoritetet hungareze thanë se për shkak se bëhet fjalë për një ish-kryeministër dhe një çështje jo të zakonshme, Gruevski nuk do të qëndrojë në Qendrën për Azil në kufij, por në Budapest. Kjo gjë ishte edhe arsyeja e përplasjes mes opozitës dhe shumicës, në Parlamentin hungarez, ku opozita akuzonte Qeverinë që i ka shkelur ligjet dhe nuk e ka lënë Gruevskin të qëndroj në zonë transiti, por është akomoduar në Budapest. Në pyetjet e gazetarëve për këtë çështje, Qeveria e Hungarisë gjatë gjithë kohës theksonte se të gjitha hapat janë ndërmarrë nga autoritetet hungareze në përputhje me ligjet e vendit.