Këshilli i Komunës së Tetovës miratoi fonde për rehabilitimin e rrugëve deri te deponia Rusino

Këshilli i Komunës së Tetovës në seancën e sotme njëzëri e votoi vendimin me të cilin qeverisja lokale do të ndajë fonde nga buxheti për rehabilitimin e rrugës lokale nga fshati Sushicë, Gostivar deri në deponinë Rusino.

Marketing

“Komuna e Tetovës si pjesë e rajonit të planifikimit të Pollogut në kuadër të projektit për administrim rajonal të mbeturinave përmes deponisë Rusino është e detyruar së bashku me komunat e tjera që ta bashkëfinancojnë projektin për rehabilitimin e rrugës. Tetova ndan 2,200,000 denarë, ndërsa nga Byroja për Zhvillim Rajonal janë siguruar 16.900,000 denarë”, deklaroi kryetari i Këshillit, Bekim Memeti.

Këshilltarët votuan ndryshim të rregullores për mënyrën dhe kushtet e parkimit në Tetovë. Do të ketë orar të punës edhe dimëror edhe veror.

“Parkimi zonal në periudhën nga 1 maji deri më 30 shtator do të jetë nga ora 7 deri në orën 23:00, ndërsa të shtunën deri në orën 14:00. Në orarin e punës dimëror parkimi zonal do të jetë nga ora 7:00 deri në orën 21:00, ndërsa të shtunën njëjtë deri në orën 14:00. Të dielën dhe për festa nuk do të paguhet edhe më tej si deri më tani”, tha Memeti.

Këshilli solli edhe vendim për përcaktimin e shumës së kompensimit për vendosjen e reklamave, shkrimeve dhe përdorimin e hapësirave publike.

Marketing