Kështu u helmuan 80 kosovarët gjatë iftarit në Gjilan

Menaxheri dhe shefi i kuzhinës së restoranit ‘Garden’ në Gjilan janë intervistuar nga Prokuroria nën dyshimet për helmim masiv të qytetarëve në rrethana ende të pasqaruara.

Marketing

Pronari i këtij restorani tha se beson në pastërtinë e kuzhinës së tij dhe vuri dyshime në kredibilitetin e disa prej raportimeve për helmim.

Rreth 45 persona janë hospitalizuar brenda dy ditësh me simptoma helmimi të cilët deklarojnë se ishin ushqyer në restoranin ‘Garden’ në Gjilan.

Kuzhina e këtij restorani pas këtij rasti u mbyll me vendim të prokurores së rastit dhe inspektorëve komunalë duke pritur rezultatet e mostrave të ushqimit që janë dërguar për testim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Prokurorja e rastit, Leonora Shemsiu tregoi masat që kishte marrë pas marrjes së raportimit për helmim nga qytetarët.

“Fillimisht 2-3 persona janë paraqitur në polici, kur janë bërë 5 menjëherë e kam bërë lokalizimin e kuzhinës së restoranit ‘Garden’. I kemi marrë mostrat bashkë me inspektorin sanitar dhe epidemiologun dhe ato mostra kanë shkuar për analiza të mëtutjeshme. Atë ditë është mbyllur kuzhina, jo pijet por kuzhina është mbyllur për shërbim. Deri tani janë të shtrirë në bazë të drejtorit të spitalit 45 persona”, tha Shemsiu.

Ajo tregoi se kuzhina e restoranit do të vazhdojë të qëndrojë e mbyllur derisa të kthehen rezultatet e analizave.

“Të gjithë janë me ankesa të njëjta, me simptoma të njëjta dhe të gjithë thonë se darka e fundit ka qenë te restaurant ‘Garden’ (iftari). Edhe sot janë paraqitur pesë persona kanë kërkuar ndihmë mirëpo kanë refuzuar hospitalizimi. Është intervistuar menaxheri i restaurantit dhe shefi i kuzhinës. Tani për tani janë si të dyshuar këta. Mirëpo rezultatet nuk na janë kthyer ende se a është gjetur diçka. Janë marrë 12 deklarata të dielën nga personat e shtrirë”, tha Shemsiu.

KALLXO.com ka rënë në kontakt me menaxherin e restoranit ‘Garden’, Ekrem Behluli, i cili e udhëheq atë me bashkëshorten Ganimete Behluli që është pronare.

Ai tha se po e pret raportin përfundimtar të rezultateve nga tesitimi i mostrave që janë marrë në restoranin e tij.

“Neve për momentin nuk kemi koment pasi ne jemi kuzhinë, nuk jemi laborator, ka qenë inspektori sanitar, i ka marrë mostrat, janë duke i pritur edhe disa mostra për të ardhur në përfundim se a ka ndodhur nga këtu. Deri në këtë moment nuk është gjetur asnjë lloj bakterie në kuzhinën tonë.Jemi duke pritur një raport zyrtar nga inspektimi që është bërë. Këtu bëhet llaf se të premten ka hangër bukë e rasti është të dielën. Inspektimi vizual ka qenë gjithçka në rregull, e kam raportin port ash po presim analizat laboratike”, tha Behluli.

Ai siguroi që restorani i tij është tejet i kujdesshëm sidomos me prodhimin e mishit ndërsa sipas tij rastet e ‘helmimit’ kanë filluar të keqpërdoren.

“Ne punojmë qe 16 vite me kuzhina, therrjen e pikave e bëjmë vetë, çdo prodhim të mishit të bluar e bëjmë vetë. Me asnjë mishtore nuk punojmë të gjitha i bëjmë vetë, shkaku i këtyrë seneve po njeri sa ma shumë që ruhet po ndodhshin këto sene dhe definitivisht po e presim raportin përfundimtar.Ne prej të dielës mbrëmje me kuzhinë nuk punojmë e ka raste që sot shkojnë njerëz dhe thonë jam mysafir i ‘Garden-it’, shtinëm pa rend”, tha Behluli.

Behluli deklaroi se biznesi i tij kishte qenë shumë i suksesshëm para kësaj ngjarje.

“Realisht pa fakte as prokurori as inspektori nuk mundet me ma mbyll kuzhinën po për hirë të korrektësisë derisa të vërtetohem unë, nëse është defekti te unë nuk dua të dëmtoj tjetërkënd. Prej muajit të shenjtë të Ramazanit, asnjë ditë nuk kemi pasë nën 500 iftare. Fundi ka me dëshmu që ne nuk jemi si do e do po e prezantojnë”, përfundoi Behluli.

KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë lidhur me rastin të cilët dhanë detaje mbi mostrat e marra në restaurant.

Lamir Thaçi, zëdhënës i AUV-së tha se të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike tregoi shifra edhe më të mëdha të numrit të njerëzve të helmuar.

“Në bazë të anketimit të të shtrirëve në Spitalin Regjional në Gjilan-reparti i infektives deri në këto moment janë të hospitalizuar 30 pacient, të gjithë pacientët kanë qenë konsumatorë në restorant të njëjtë, ushqimi ka qenë meny e iftarit dhe që të gjithë pacientët kanë simptoma të njëjta si: temperaturë, vjellje, diarre (konsumatoret kryesisht kanë qenë me familjet e tyre). Sipas të dhënave nga IKSHP në Gjilan numri i të helmuarve është mbi 130 pacient që kanë kërkuar ndihmë mjekësore nëpër Njësit e QKMF në Gjilan dhe ordinance private pasi që ka qenë ditë vikendi”, tha Thaçi.

Thaçi tregoi se si e kishin gjetur kuzhinën në aspektin higjienik inspektorët që shkuan për të marrë mostrat.

“Në bashkëpunim me I.K.Sh.P janë marrë 14 strisho për testime mikrobiologjike, nga personeli mjetet e punës dhe stabilimentet. Gjithashtu janë marrë 5 mostra të ushqimeve ne të cilat dyshohet se konsumatorët kanë mundur t’i te helmohen. Edhe pse kushtet e përgjithshme higjienike- sanitare dhe tekniko- sanitare vlerësuar në aspektin vizual janë të mira, për shkaqe sigurie, inspektori ka nxjerr vendim për mbyllje të përkohshme të kuzhinës, të ndërkrehet përgatitja e ushqimit dhe shërbimi i tij deri në një vendim tjetër.”, tha Thaçi.

Thaçi tha se nuk dihet ende koha se kur do të dalin rezultatet e testimit të mostrave të ushqimit mirëpo tregoi se kuzhinës së këtij restorani i është urdhëruar asgjësimi i ushqimit në përgatitje e sipër.

“Është urdhëruar që të gjitha ushqimet që ishin në procedura të përgatitjes të asgjësohen (sallatat, soset dhe mishrat e shkrirë), të bëhet pastrimi, dezinfektimi dhe dezinfektimi i të gjitha hapësirave të kuzhinës, mjeteve të punës dhe stabilimenteve, të bëhet edhe dezinfektimi i ambientit përreth dhe anekseve përcjellëse të restorantit. Varësisht nga rezultati i mostrave dhe strishove do të veprojmë sipas legjislacionit në fuqi”, tha Thaçi.

Marketing