Këtë javë numri i të infektuarve të rinj është nën 10 për qind e të testuarve

Gjatë pesë ditëve të kaluara numri i rasteve të reja me Kovid-19 është nën 10 për qind e pacientëve të testuar. Në fillim të javës ishin bërë 860 teste, prej të cilëve 78 pacientë rezultuan pozitivë në virusin korona. Pastaj ditën e ardhshme (25 gusht) numri i testeve u rrit në mbi 1.700, por numri i pacientëve të infektuar ishte 127. Në ditët e fundit kishte raste kur përqindja e të infektuarve të rinj nuk ishte më e madhe se pesë-gjashtë për qind. Kështu që dje ishin bërë 2.018 testime, ndërsa janë regjistruar 159 raste të reja me Kovid-19. Përveç numrit të ulur të të infektuarve me virusin korona, për dallim të periudhës paraprake, në ditët e fundit është regjistruar edhe shërim i rritur i pacientëve të infektuar nga Kovid-19.

Marketing

Edhe më tutje numri më i madh i të infektuarve aktivë nga Kovid-19 është regjistruar në Shkup (854), pastaj vijon Kumanova (356), pastaj Gostivari (230) dhe Shtipi dhe Tetova me nga (175 pacientë aktivë me virus korona).

Ndryshim drastik me Kovid-19 është regjistruar edhe në komunat e Shkupit. Këtu edhe më tutje me numër më të madh të rasteve aktive 117 është Komuna e Çairit, shumë më mirë se periudhën e kaluar kur numri i të infektuarve me virusin korona në këtë komunë i tejkaloi 400 pacientë. Pas Çairit, me numër më të madh të të infektuarve me Kovid-19 është Komuna Aerodrom (105), Gazi Baba (102) dhe pastaj vijojnë Kisella Voda, Karposhi, Qendra, Buteli, etj.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, gjatë vizitës së djeshme në Makedonska Kamenicë, theksoi se tani për tani nuk janë paraparë masa të posaçme për mbrojtje nga Kovid-19 në Rajonin e Malishevisë, ku në javët e kaluara në mënyrë konstante po rritet numri i të sëmurëve nga virusi korona. Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në lidhje me situatën me pandeminë në Dellçevë, Berovë, Pehçevë dhe Makedonska Kamenicë, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha se nuk janë paraparë masa restriktive shtesë për këto komuna.

“Tani për tani nuk parashohim masa të tilla për komunat e këtij rajoni. Por ne kemi plan, megjithatë ai plan, sipas të gjitha gjasave, do të jetë në fuqi dhe mundësi të intervenohet në muajt e vjeshtës, kur sistemi shëndetësor pritet të mbingarkohet, si me pacientë me Kovid-19, ashtu edhe me grip sezonal dhe sëmundje të tjera të cilat i okupojnë repartet e njëjta si pacientë”, tha Filipçe.

Mosrespektimi i masave jo vetëm në këto komuna, por çdo kund në vend, siç shtoi, rezultoi me numër të rritur të klasterëve dhe rasteve të reja.

“Duhet të jemi të gatshëm, shohim se si po zhvillohet pandemia çdokund në botë, është e dukshme se virusi është këtu, është e dukshme se qytetarët atëherë kur nuk u për,mbahen masave preventive, ka paraqitje të rasteve dhe klasterëve të rinj. Duhet të bëjmë thirrje, të gjithë t’u përmbahen masave, distancë, mbajtje e maskës mbrojtëse, sepse kjo mbron nga sëmundjet e tjera të cilat vijnë edhe nga mbingarkimi i sistemit shëndetësor, ndërsa qytetarët, duke i respektuar masat, do ta lehtësojnë atë”, shtoi Filipçe.

Siç potencoi në emisionin e fundit në të cilin ishte mysafir në TV Klan furnizimi i vaksinës kundër Kovid-19, do të bëhet përmes mekanizmit KOVAKS pranë Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Mekanizimi kovaks është mekanizëm i OBSH-së e cila do të sigurojë shpërndarje të barabartë të sasisë adekuate të vaksinës konform popullatës në disa vende, derisa nuk arrihet 20 përqindëshi që popullata të vaksinohet. Lidhur me aktivitetin e BE-së, ata kanë nënshkruar marrëveshje dypalëshe me kompaninë Astra Zeneka për vendet anëtare të BE-së dhe ne kemi marrë shkresë me ofertë nga Polonia përmes ambasadorit polak në vendin tonë”, deklaroi Filipçe.

Ai ka thënë se ende nuk janë të njohura sasitë, as edhe si do të jetë ajo shpërndarje nëpër shtete. Por me kohë do të ketë qasje atëherë kur vaksinat do të jenë të kapshme.

“Njëzet për qind është diçka që deri tani konsiderohet si përqindje e duhur të vaksinohet popullata konform njohurive të deritashme. Në atë grup prej 20 për qind hyjnë të moshuarit, të sëmurët kronik, fëmijët etj. Ka grupe të rrezikut që janë të parët për vaksinim dhe kuptohet se i ndjekim edhe njohuritë dhe rekomandimet e reja”, ka shtuar ministri.

Lidhur me vaksinën kundër gripit sezonal, Filipçe ka thënë se këtë vit do të sigurohen dyfish sasi më të mëdha. Në disa vende rekomandohet për pjesën më të madhe të popullatës, me qëllim që të shmangen komplikime më të rënda nëse vjen deri te kryqëzimi i sëmundjes edhe me virusin korona. Vaksina kundër gripit sezonal për personat mbi 65 vjet dhe për grupe të tjera të rrezikuara tashmë një kohë të gjatë është falas.

“Këtë vit nga numri i zakonshëm prej 28 mijë vaksina, ne furnizojmë 40 mijë dhe plus 20 mijë i marrim përmes donacionit. Pra do të kemi 60 mijë vaksina, dyfish më shumë të asaj që kemi pasur vitet e kaluara. Me këtë vaksinë do të përfshihen më shumë grupe të rrezikut që konsiderojmë se duhet të vaksinohen, mes tjerash edhe punonjësit shëndetësor të cilët do të vendosin ta pranojnë, me atë se nuk është e domosdoshme vaksina. A do të ketë imunitet të kryqëzuar me të cilën kjo vaksinë do të mbrojë edhe nga Kovid-19 atë nuk e dimë me siguri. Vaksina mbron sigurt nga viruset e supozuara të gripit sezonal ose mund të paraqitet formë e lehtë e sëmundjes, por absolutisht është e rekomandueshme për njerëzit të cilët veçmë kanë sëmundje kronike. Përveç grupeve të rrezikut për të cilët vaksinën e gripit sezonal do ta marrin falas, do të ketë sasi të caktuara edhe për shitje komerciale”, ka thënë Filipçe.

Marketing