Mot i ligë me reshje të rrëmbyeshme të shiut, bubullima të shoqëruara me breshër dhe erëra të fuqishme kanë kapluar shumë qytete të vendit. Sipas informacioneve të Qendrës për Menaxhim me Kriza, rajonet e prekura janë Dibra, Prilepi dhe Kërçova. Sipas Entit Hidrometeorologjik mot i tillë jostabil dhe i freskët është për shkak të aktivitetit të depresionit të Detit të Zi .

Këtë sezon vendi jonë kryesisht është nën aktiviteti e depresionit të Detit të Zi, që do thotë këtë vit do të kemi verë më të freskët, do të kemi reshje lokale të kohëpaskohshme jostabile të shoqëruara me bubullima, erë të fortë dhe shfaqje të stuhisë. Temperaturat do të bien në krahasim më ditët e kaluara, kështu që do të kemi mot të freskët me reshje të shiut – u shpreh Dushanka Tanushevska, sinoptikane.

Breshëri në rajonin e Prilepit, Dibrës dhe Kërçovës ka shkaktuar dëme në kulturat bujqësore. Nga Enti Hidrometeorologjik lajmërojnë se nesër pritet një stabilizim i lehtë i motit, por në ditët në vijim prapë pritet mot jostabil dhe me reshje të shiut.