Këto janë premtimet e ministrit Krasniqi

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në një postim në Facebook ka shpalosur programin e tij si ministër për komunitetet në Kosovë.

Ai thotë se objktivi i tyre kryesor është barazia dhe drejtësia.

Marketing

“Përfaqësimi i komunitetit në nivelin komunal është garanci e qëndrueshmërisë dhe këmbëngulësisë sonë politike për t’i trajtuar seriozisht problemet e shumta nga autoritetet komunale”, ka shkruar ndër tjera Krasniqi.

Postimi i plotë:

Tani kur janë konsoliduar institucionet e Kosovës: Parlamenti, Qeveria dhe Presidenca, IRDK bartë barrën e përfaqësimit të komunitetit dhe qeverisjes së mirë. IRDK përfaqësohet në Parlamentin e Kosovës nga deputeti Fridon Lala dhe në Qeverinë e Kosovës përmes drejtimit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Përkushtimi jonë kryesor do të jetë komuniteti Egjiptas dhe komunitetet tjera që kanë nevojë për ndërhyrjen e shtetit në mënyrë që jeta e tyre të jetë e dinjitetshme. Duke qenë pjesë e institucioneve, përmes veprimeve tona politike, objektivi i jonë kryesor është Barazia e Dinjiteti.

Ne menjëherë do të jemi të angazhuar për sa më shumë projekte që financohen nga Qeveria e Republikës së Kosovës në mënyrë që të përmirësohet infrastruktura rrugore, furnizimi me ujë të pijes, menaxhimin e duhur të ujërave të zeza dhe mbeturinave, strehimin e të pa strehëve dhe strehimin me kushte normale për ata që jetojnë në kushte ekstremisht të këqija. Gjithashtu përpjekjet tona do të orientohen në ndërmarrjen e masave nga ana e Qeverisë së Kosovës në mënyrë që të garantohet vijueshmëria e shkollimit nga niveli parafillor deri te përfundimi i shkollës së Mesme dhe sigurimin e bursave për mësuesit e ardhshëm të cilët do të jenë edhe kujdestar të mirë shkollimit të brezave të rinjë.

IRDK-së, për shkak të pozicionimit të duhur në situata të pazakonta, nga Kryeministri i Kosovës i është besuar drejtimi i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Udhëheqja e bazuar në parimet e përgjegjësisë, ndershmërisë dhe rritjes së efikasitetit, është obligim që e kemi marrë për sipër dhe që do t’ia dalim mbanë me sukses.

Përfaqësimi i komuniteti tonë në nivelin komunal mbetet sfidë e të gjithë spektrit politik. Përfaqësimi i komunitetit në nivelin komunal është garanci e qëndrueshmërisë dhe këmbëngulësisë sonë politike për t’i trajtuar seriozisht problemet e shumta nga autoritetet komunale. Për shkak të rëndësisë së përfaqësimit në nivelin komunal, në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor të këtij viti, ne propozojmë që spektri ynë politik të unifikohet në mënyrë që të kemi përfaqësim në sa më shumë komuna të Kosovës. Ne propozojmë të bëjmë pakt në mes IRDK, PLE, PAI, PDAK dhe LPB, në mënyrë që këto subjekte të dalin si koalicion në zgjedhjet lokale. Kjo i rritë shumë gjasat që në vitin e ardhshëm komuniteti ynë të përfaqësohet në Pejë, Gjakovë, Ferizaj, Istog, Fushë Kosovë, Lipjan e ndoshta edhe në Prizren, Mitrovicë, Podujevë e Klinë. Për këtë arsye unë shpejt do të bëjë një ftesë për udhëheqësit e këtyre subjekteve politike për një takim të përbashkët ku do të diskutonim mundësinë e një koalicioni parazgjedhor për zgjedhjet lokale.

Deri në fillim të muajit Maj të këtij viti, ne do të krijojmë mekanizma të përshtatshëm dhe transparent për adresimin e kërkesave në mënyrë që ne të ballafaqohemi me ato kërkesa dhe të bëjmë zgjidhjen e duhur.

Ne jemi shumë mirënjohës të gjithë juve që na besuat përfaqësimin politik. Komunikimi me ju do të jetë i vazhdueshëm në mënyrë që gjithmonë të kemi mirëkuptim të ndërsjellët.

Ju faleminderit për përkrahjen e juaj që na keni dhënë gjatë konsolidimit të institucioneve.

Sinqerisht,

Elbert Krasniqi