Dy restorantet e para të brendit amerikan KFC do të hapen në Shkup dhe Tetovë më 14 shtator të këtij viti. Këtë e paralajmëroi pronari i licencës Fatmir Zimberi në takim me kryeministrin Zoran Zaev.

Siç kumtojnë nga pres-shërbimi i Qeverisë, kompania amerikane do të investojë më shumë se 10 milionë euro dhe sipas biznes planit të përgatitur është planifikuar që të hapen më shumë restorante në vend me rreth 400 vende të reja të punës.

Kryeministri Zoran Zaev, duke i përshëndetur qëllimet e kompanisë, shprehu veçanërisht kënaqësi për shkak të ardhjes së brendit të njohur botëror dhe porositi se secili investim i ri në Maqedoni përveç se hap vende të reja të punës dhe kontribuon për zhvillimin ekonomik, dërgon edhe porosi të fuqishme deri te investitorët e rinj se shteti është i sigurt dhe solid në treg.

Pronari i licencës, zoti Zimberi, informoi se deri në fund të vitit planifikohet hapja e gjithsej tre restoranteve në Maqedoni, me biznes plan të përgatitur katër vjeçar për hapjen e 15 deri 20 restoranteve me gjithsej 400 të punësuar.

“Veçanërisht jam i lumtur se me investimin në vlerë prej mbi 10 milionë euro, ne përveç të punësuarve tanë, sigurojmë partneritet vetëm me kompanitë vendore nga të cilat furnizohemi me materialet dhe ushqimet e nevojshme”, theksoi pronari i licencës.

Zimberi theksoi se KFC si lider në përgatitjen dhe shërbimin e mishit të pulës, tashmë ka bërë analizë të pozicioneve të rajoneve në Maqedoni, ku mund të stimulohet ruajtja e pulave.

“Hapja e KFC-së është hap i madh në demonstrimin e klimës së investimeve në Maqedoni dhe veçanërisht jam i lumtur për shkak të ardhjes së këtij brendi dhe për shkak të faktit se po dërgohet porosi për investitorët tjerë të rinj, me çka do të rritet punësimi dhe do të hapen mundësi të reja ekonomike”, tha kryeministri Zaev.

Ai i theksoi synimet dhe vullnetin politik të Qeverisë të ndërtojë raport partneriteti me biznes bashkësinë, përmes komunikimit të rregullt dhe intensiv për nevojat e biznesit dhe për përparimin e ekonomisë.

Kompania KFC, me seli në Kentaki, SHBA është themeluar në vitin 1991 dhe me shumë se 23.000 restorante në mbi 120 shtete është restoranti i dytë më i madh për ushqim të ri. KFC është lider në përgatitjen dhe shërbimin e mishit të pulës të përgatitura në mënyrë specifike.