KFOR-i dhe Policia e Kosovës planifikojnë “veprimtari operacionale të përbashkëta në zonën e Kamenicës”

Komanda Rajonale e KFOR-it Lindje ka njoftuar të enjten se në bashkëpunim me Policinë Kufitare në Kosovë ka nisur planifikimet për veprimtari operacionale të përbashkëta në zonën e Kamenicës.

Marketing

Përmes një komunikate për media është bërë e ditur se ky vendim është marrë pas një samiti teknik të nivelit të lartë që është organizuar një ditë më parë mes Shefit të operacioneve të misionit të KFOR-it, drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe zyrtarëve tjerë.

“Në atë rast të dy palët shprehën kënaqësi të ndërsjellë për nivelin e bashkëpunimit të zhvilluar deri më tani në fushën e sigurisë dhe u angazhuan për forcimin e mëtejshëm të tij, përmes një mekanizmi të përmirësuar javor që do të lejojë një rritje të patrullave të përbashkëta të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në zonë të Kamenicës”, është thënë mes tjerash në komunikatë.

KFOR-i, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, ka njoftuar më 7 gusht se në Komunën e Kamenicës kanë zhvilluar një patrullë të sinkronizuar me Forcat e Armatosura serbe, “përgjatë vijës kufitare administrative, në afërsi të fshatit Hodonoc”.

Zyrtarët e KFOR-it po ashtu kanë thënë se në mënyrë rutinore kryejnë patrullime të tilla përgjatë vijës kufitare që shtrihet rreth 350 kilometra, mirëpo kjo vijë nuk është e shënjuar dhe e përcaktuar mirë.

Zyrtarët qeveritarë në Kosovë e kanë interpretuar në disa mënyra këtë patrullim.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla pati thënë se ngjarja e 7 gushtit nuk rezulton të jetë patrullim i sinkronizuar, por patrullim i përbashkët mes KFOR-it dhe Serbisë. Sipas saj, për këtë gjë askush nuk ka mandat e as autorizim.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Agim Veliu, ka deklaruar më 8 gusht se gjatë një takimi me komandantin e KFOR-it, gjeneralimajorin Michele Risi, është njoftuar se hyrja e forcave të xhandarmërisë̈serbe në territorin e Kosovës ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët i këtyre forcave me pjesëtarët e KFOR-it.

Marketing