Kina nis testimet e teknologjisë 6G

Autoritetet kineze kanë lëshuar në hapësirë satelitin e parë të pajisur me teknologjinë 6G.

Marketing

Sateliti u ngrit për në orbitë këtë të shtunë nga qendra e kontrollit satelitor Tayian, në Provincën veriore të Shanxit.

Teknologjia e shpejtësisë së lartë do të testohet dhe rezultatet do të krijojnë bazën për të ardhmen e komunikimit.

Sateliti është prova e parë teknike e përdorimit të komunikimeve terahertz në hapësirë. Teknologjia pritet të jetë mbi 100 herë më e shpejtë se 5G, duke mundësuar transmetimin e të dhënave pa humbje në hapësirë. Kjo do të sigurojë komunikime në distanca të gjata me më pak prodhim të energjisë.

Sateliti ka gjithashtu edhe pajisje për monitorimin e katastrofave, parandalimin e zjarrit në pyje, inspektimin e pyjeve, monitorimin e ruajtjes së ujit dhe përmbytjeve malore, si dhe për marrjen e imazheve dhe të dhënave të gjera satelitore.

Sipas China Daily, teknologjia 6G është ende në zhvillim, shkencëtarët duhet të kapërcejnë disa pengesa teknike në kërkimin bazë, si modelimin e pajisjeve dhe ndikimin në mjedis. Vetëm atëherë teknologjia do të jetë e disponueshme në treg.

Marketing