Kina planifikon të ndërtojë impiant të energjisë diellore në kozmos

Zyrtarët kinezë kanë thënë se janë duke punuar në zhvillimin e një impianti të energjisë diellore në kozmos, i cili në të ardhmen do të ofronte energji të mjaftueshme për një qytet të tërë.

Marketing

Nëse shkencëtarët arrijnë t’i kapërcejnë sfidat e vështira teknike, ky projekt do të përfaqësonte një përparim të madh në luftën kundër varësisë ndaj burimeve ndotëse të energjisë, të cilat e prishin cilësinë e ajrit dhe ndikojnë në ngrohjen globale.

Impianti i energjisë diellore me bazë në kozmos do të ishte alternativë e mirë në krahasim me burimet aktuale të energjisë që ndodhen në tokë, të cilat nuk janë shumë efektive.

Shkencëtarët kanë thënë se impiantet e energjisë diellore në kozmos do të kushtonin shumë shtrenjtë. Sidoqoftë, Kina është zotuar se do t’i investojë 367 miliardë dollarë për burimet e përtëritshme të energjisë, përfshirë energjinë diellore, energjinë e erës dhe energjinë bërthamore.

Sipas një raporti të publikuar në gazetën shtetërore “Science and Technology Daily”, Korporata Kineze për Shkencë dhe Teknologji në Kozmos shpreson se impianti i energjisë diellore do të fillojë të përdoret në vitin 2050, shkruan “CNN”.