Kiracoski: Mbi 80 deputetë do të votojnë ndryshimet kushtetuese

Është siguruar mbështetje e minimum 80 deputetëve për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, deklaroi sot në konferencë shtypi sekretari i Përgjithshëm i LSDM-së dhe deputet, Aleksandar Kiracoski.

Marketing

“Me inicimin e ndryshimeve kushtetuese RM bëhet pjesë e BE-së dhe NATO-s. Shpesh më pyesin nëse e keni siguruar shumicën prej dy të tretave. Unë frazën deputetë të siguruar nuk dua ta përdor, por kam informacione se minimum 80 deputetë, madje edhe diçka mbi 80-të, u bindën se e ardhmja e RM-së është vetëm në NATO dhe në BE, ndërsa kjo është kushtëzuar me Marrëveshjen e Prespës dhe ndryshimet kushtetuese, që duhet të ndodhin më së voni deri këtë të premte”, tha Kiracoski.
Lidhur me protestën e sotme ai tha se kjo është e drejtë demokratike e çdo qytetari, por thotë se është më se i bindur se e gjithë kjo ka lidhje me udhëheqësinë antiperëndimore të VMRO-DPMNE-së dhe ndoshta disa forca të brendshme dhe të jashtme të cilat dëshirojnë me çdo kusht ta pengojnë integrimin e RM-së në NATO dhe në BE.

Ai theksoi se Propozim ligji për Komisionin Antikorrupsion hyn në procedurë me flamur evropian. Kjo, tha, është metodologji që të bajpasohen kërkesat jologjike të VMRO-DPMNE-së.

“VMRO-DPMNE e udhëhequr nga Hristian Mickoski me propozime jologjike dhe të pamatura, në kundërshtim me rekomandimet e KE-së dhe opinionin e ekspertëve e kushtëzon sjelljen e Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe përplasje të interesave. Dallimi është në dy koncepte. Ata janë për korrupsion, ndërsa ne jemi kundër korrupsionit.

VMRO-DPMNE është për luftë deklarative, ndërsa ne jemi për luftë thelbësore kundër. Rreth kësaj nuk ka kompromise me askënd. I ndjekim rekomandimet e BE-së e cila dha mendim shumë pozitiv për propozim ligjin, prandaj ju njoftoj se ligji do të shkojë me flamur evropian. Maqedonia do të marrë trup rregullator tërësisht të pavarur i cili në mënyrë thelbësore dhe jo deklarative do të qëndrojë dhe do ta kundërshtojë korrupsionin në shtetin tonë”, tha Kiracovski.

Nuk ka afat përfundimtar për sjelljen e Ligjit për antikorrupsion, por pritet ai të sillet së shpejti, që të mundet komisioni i ri antikorrupsion të zgjidhet para zgjedhjeve presidenciale.

Pas ndryshimeve kushtetuese Propozim-ligji do të vihet në rend dite të Komisionit për Çështje Evropiane dhe në afat prej tre ditësh në pajtim me rregulloren pritet të kalojë në këtë komision ndërsa më pas edhe të jetë në seancë plenare.

Marketing