Emigranti nga Bangladeshi, i cili vendosi një bombë që shpërtheu pjesërisht në stacionin më të frekuentuar të metrosë në New York në vitin 2017 është dënuar të enjten me burgim të përjetshëm plus 30 vjet.

Akayed Ullah, pajisja e të cilit synonte tunelin për këmbësorë midis Times Square dhe ndalesave të Autoritetit Portual në Manhattan, iu lexua dënimi nga gjykatësi federal, Richard Sullivan.

“Një dënim i përjetshëm është i përshtatshëm”, tha Sullivan. “Ishte një krim me të vërtetë barbar dhe i urryer”, shtoi ai, raporton foxnews.

Ullah kërkoi falje para se të dëgjonte dënimin. “I nderuar, ajo që bëra, ishte e gabuar”, tha ai. “Unë mund t’ju them nga zemra, më vjen shumë keq…Unë nuk mbështes dëmtimin e njerëzve të pafajshëm”, shtoi 31-vjeçari

Prokurorët në fillim të këtij muaji kishin argumentuar që Ullah duhet të kalonte pjesën tjetër të jetës së tij pas hekurave për sulmin terrorist “të paramenduar dhe të egër” të 11 dhjetorit të vitit 2017 të kryer në emër të grupit terrorist Shteti Islamik.