Klopp: Salah i paprekshëm, ky Liverpool ka shumë uri!

Trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp, e festoi rinovimin e tij me fitore përballë Watford. Të besuarit e tij triumfuan me rezultatin 2-0, falë një dygolëshi të Mohamed Salah. Pas ndeshjes, Klopp foli për BBC Sport, duke u shprehur: “Sot kishim uri për të fituar.

Marketing

Nuk fitojmë gjithmonë me spektakël, ka dhe ndeshje të tilla të vështira përballë skuadrave që mbrohen mirë. Kështu është. Sot, fituam dhe ndoshta disa tifozë nuk e kanë pëlqyer lojën tonë, por shënuam dy herë dhe e merituam plotësisht të merrnim tre pikët. Na duhej të luftonim, po, por kështu janë të gjitha ndeshjet në Premier League. Nuk ka ndeshje të lehta.

Salah shënoi dhe kjo gjë ngriti lart moralin e skuadrës me golin e tij të parë. Kur ai del një kundra një me mbrojtës, ka 95% mundësi të shënojë. Goli i dytë i tij? Sensacional! Origi asistoi në mënyrë të shkëlqyer, Mane bëri një vrapim për t’u admiruar. Salah shënoi golin e dytë dhe kjo gjë e qetësoi skuadrën. Kështu duhet që të luajmë gjithmonë, me dëshirë dhe me uri”.