Klubi i Hendbollit “Vardar” distancohet nga fyerjet e “Komitëve”

Klubi i Hendbollit “Vardar” distancohet nga gjitha ofendimet e tifo-grupit “Komitët” që iu drejtuan shqiptarëve por edhe funksionarëve shtetërorë.

Marketing

Kryesia e klubit të Vardarit për Alsat thonë se bëhet fjalë për grup të pakontrolluar të tifozëve të cilët kanë nxitur turmën.

Klubi bënë thirrje që në ndeshjet e ardhshme të mos përsëriten thirrjet fyese ndaj nacionaliteteve apo grupeve tjera të qytetarëve të Maqedonisë.

“Klubi Hendbollist Vardar asnjëherë nuk i ka mbështetur thirrjet dhe ofendimet në baza fetare dhe nacionaliste ndaj individëve apo bashkësive etnike. Incidentet që kanë ndodhur në kohën e festës me rast të marrjes së titullit Kampion Evrope, gjykojmë se është incident i izoluar, nga i cili klubi distancohet dhe e dënon. Nëse keni video dëshmi , dërgojini në institucionet kompetente, të cilët në bazë të kompetencave të tyre do të merrnin hapa të duhur për sanksionimin dhe parandalim për përsëritjen eventuale të fyerjeve” thonë nga klubi “Vardar”.- thanë nga Klubi Hendbollist “Vardar”.

Fyerjet në baza nacionale të Komitëve i dënon edhe partia opozitare VMRO DPMNE-ja.

“Kur flasim për incidentet e tifozëve edhe atë e kam bërë gjithmonë, edhe kur Ballistët e kanë thënë atë që nuk duan ta dëgjojnë maqedonasit, kroatët, serbët dhe gjithë nacionalitetet tjera që jetojnë në Maqedoni, tani e bëj edhe për “Komitët”, Majmunët dhe “Çkembarite”. Pres që dënimet e tilla të jenë nga të gjithë e jo të njëanshme. Unë nuk kam parë ndonjë reagim të tillë kur Shkëndija e festoi titullin a e dini se çfarë atëherë thanë tifozët e Shkëndisë. Por çdo politikan korrekt dhe i vetëdijshëm duhet t’i dënojë gjitha tentimet për nxitje të urrejtës nacionale” u shpreh Dimitar Stevananxhia – Deputet i VMRO-DPMNE-së.

Fyerjet e “Komitëve” me rastin e fitores, i kanë irrituar edhe partitë politike shqiptare të cilët e kanë dënuar ashpër këtë incident.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se po vazhdojnë me mbledhjen e informacioneve dhe shqyrtimin e materialeve të siguruara.

Sipas tyre, po bëhet çmos për zbardhjen e plotë të rastit. Nga Prokuroria ndërkaq nuk japin informata për angazhimin e tyre në zbardhjen e këtij rasti.

Nga ana tjetër, shpërblimi prej 100 mijë euro për klubin e Vardarit, i ka ndarë në baza etnike këshilltarët e Qytetit të Shkupit.

Këshilltarët shqiptarë nuk kanë votuar që Vardar të marr shpërblim prej 100 mijë eurosh.
Mirëpo vendimi u soll me votat e këshilltarëve të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së.

Ditëve në vijim pritet që edhe Qeveria t’i jap dritë jeshile propozimit të kryeministrit Zaev, që gjysmë milioni euro të kalojë në konton e Klubit Hendbollist Vardar, për suksesin e arritur në kampionatin evropian, duke marrë vendin e parë.

Marketing