Koalicion i mundshëm me LVV-në, LDK-ja thërret nesër mbledhjen e kryesisë

Nesër në orën 14:00, LDK-ja do të thërrasë mbledhjen e kryesisë.

Marketing

Burime për Top Channel bëjnë me dijeni se tema e diskutimit do të jetë koalicioni i mundshëm me LVV-në.

Ndërkohë ditën e sotme, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti bëri të ditur se edhe pas dorëzimit të emrit për mandatar për kryeministër ende nuk kanë arritur marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Kurti përmes një video të publikuar në Facebook, tha se janë të gatshëm për takime të reja me LDK-në, në mënyrë që të gjenden alternativa për arritjen e një marrëveshje për bashkëqeverisje.

“Propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje si subjekt fitues në zgjedhje e 6 tetorit kemi dashur ta dërgojmë te presidenti pas një marrëveshje me LDK-në. Në mbledhjen konstituive më 26 dhjetor shkova pa pasur një marrëveshje edhe te presidenti më 6 janar shkova pa marrëveshje paraprake. Dy javë pas takimi katër minutësh nuk kemi marrëveshje. Ne nuk e kemi pranuar propozimin e LDK-së, por jemi të gatshëm për takime tjera”, u shpreh Kurti.

“E theksoj përsëri: nuk mund të kthehemi në të kaluarën, nuk mund të kthehemi në vitin 2019. Ata s’e kanë pranuar propozimin tonë të fundit, ndonëse, ndryshe nga dakordimi, nuk e trajtuan fare në Këshillin e tyre të Përgjithshëm. Qëndrimi se takohemi vetëm për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, pra, qasja ‘Merre ose lëre’, do të thotë lëre. Unë besoj se ne mund të kthehemi dhe e kemi detyrim ndaj të gjithë jush që të kthehemi në tavolinën e bisedimeve, për të mos dalë nga ajo deri në gjetjen e një gjuhe të përbashkët dhe arritjen e marrëveshjes sonë”, tha ai.

“Ne, si Lëvizje VETËVENDOSJE! kemi marrë mandatin ta bëjmë qeverinë që ju e dëshironi, e që vendit i duhet me aq urgjencë. As më shumë e as më pak. E kemi filluar duke e çliruar nga kapja, udhëheqjen e Kuvendit: nuk është më aty ai Pronto kryeparlamentari që shante e kërcënonte nga foltorja, por kryetari i ri, Glauk Konjufca. Unë besoj se ne mund të kthehemi e duhet të kthehemi në tavolinën e bisedimeve. Në ditët në vijim do të takoj edhe përfaqësuesit e pakicave”, theksoi mandatari për kryeministër.