Koalicionit trepalësh do ti dihet fundi, ja kur pritet të definohet gjithçka?

Oferta e Aleancës për Shqiptarët (ASH) ndaj dy partive Lëvizjes BESA dhe Alternativës këtë javë do të marrë përgjigjen definitive.

Marketing

Nga kjo parti theksojnë për INA se këtë javë do të shpallet vendimi dhe se gjithçka do të qartësohet se a do të ketë koalicion trepalësh apo do të ketë koalicionim vetëm mes dy partive ASH-së dhe njërës nga këto dy parti. “Besoj ne do ta përmbyllim për korrektesë edhe ndaj opinionit dhe do të dihet saktë me kë do të bëjë koalicion Aleanca për Shqiptarët por sido që të jetë, koalicioni më kuptimplotë që një subjekt politik mund të bëjë, është koalicioni me opozitarin e vërtetë dhe opozitari i vërtetë është qytetari”, deklaroi ditë më parë Ziadin Sela, kryetar i ASH-së. Lëvizja BESA ka bërë të qartë vendimin se është për koalicionim trepalësh dhe pret përgjigjen finale nga ASH-ja. “Lëvizja BESA ka vendim të Kryesisë Qendrore ku ka pranuar ofertën e ASH-së për t’i dhënë mundësi fillimit të bisedimeve për një koalicion trepalësh. ASH si iniciatore e kësaj nisme duhet të tregojë se cilat janë pengesat për mos realizimin e takimit trepalësh, ne ju garantojmë se Lëvizja BESA nuk është pengesë”, pohoi Arianit Hoxha nga Lëvizja Besa. Derisa nga Alternativa kanë preferuar një koalicionim vetëm me ASH-në, duke përjashtuar Lëvizjen BESA. “Ne mbetemi në qëndrim që koalicioni Alternativa-Aleanca, do të ishte koalicioni fitues i këtyre zgjedhjeve dhe që është më e rëndësishme do të ishte koalicioni më i qëndrueshëm edhe pas zgjedhjeve, pasi që nga koalicioni trepalësh që ju e përmendni , kjo pjesa e qëndrueshmërisë do të zbehej pas zgjedhjeve pikërisht nga partneri i tretë hipotetik i këtij koalicioni, prijësit e të cilit janë të prirur për lëkundje të tilla joparimore”, tha Skender Rexhepi nga Alternativa. Kjo javë pritet të jetë vendimtare dhe gjithçka të qartësohet se kush me kë do të dal në garën zgjedhore për zgjedhjet e 12 prillit. (INA)

Marketing