Kodra e Diellit, të premten dhe të shtunën skijim natën

Lëshimi i teleferikut me 6 ulëse ka bërë që drejtuesit e Kodrës së Diellit të vendosin që ditën e premte dhe të shtunën të ketë edhe skijim nate për gjithë skiatorët dhe turistët e Kodrës së Diellit.

Marketing

Skiatorët të cilët kishin ardhur për të skijuar natën e parë të skijimit, për TVM2 shprehen se është shumë mirë, por kërkojnë që të vendosen në funksion edhe ski-liftat tjerë, pasi siç shprehen ata ka shumë skiatorë dhe pista e skijim sipas tyre është shumë e shkurtër dhe duan që në këtë qendër turistike të investohet edhe më shumë.

“Shumë mirë, u kënaqëm, s’keni çka të flasim. Skijimi i natës është shumë i mirë, vetëm të kishte qenë pista më e gjatë do ishte shumë më mirë, pasi këtu është shumë e shkurtër dhe duhet të presim rendë shumë.”,- tha një skiator.

“Është vend shumë i mirë, nuk është shumë ftohtë, të skijosh natën të kënaqesh.”,- theksoi një skiator.

“Edhe pse ka pak tollovi, por është shumë mirë.”,- u shpreh një skiator.

“Skijim i natës është shumë i mirë, por ka rend shumë, duhet ende investime. Shkaku i tollovive edhe nuk vijmë por kur e ke dëshirë skicim, nuk ke çka bën.”,- deklaroi një skiator.

Për të ndjekur nga afër natën e parë të skijimit ishte edhe drejtori i Elem Tursit, Adem Avziu. Ai për TVM2 tha se po punohet që javën e ardhshme të vendoset në funksion edhe teleferiku me dy ulëse.

“Jemi duke punuar të vendosim në funksion edhe dy ulësen poshtë, pasi ka një defekt të vogël dhe shpresojmë që edhe vikendin e ardhshëm edhe atë do e kemi në funksion për të gjithë skiatorët. Është me rëndësi të ceket se pas lëshimit në përdorim të gjashtë ulëseve, kemi rritje të numrit të skiatorëve dhe rritje të numrit të turistëve.”,- tha drejtori i Elem Turist, Adem Avziu.

Avziu më tej shtoi se edhe përkundër uljes së çmimit të biletave, pas ardhjes së tij në këtë drejtori të ardhurat janë rritur për 38%. Bileta për të skijuar natën në Kodrën e Diellit është 400 denarë, prej orës 19 deri në orën 22.

Marketing