Koha e virozëve, me lëngje dhe çajëra larg antibiotikëve

Viroza e shoqëruar dhimbje koke, temperaturë, skuqje të syve dhe dobësi trupore, ka bërë që shumë qytetarët të vizitojnë poliklinikat dhe urgjencat e spitaleve. Përveç të rriturve, është rritur edhe numri i fëmijëve që po kërkojnë asistencë mjekësore në dyert e pediatrisë, shkruan gazeta KOHA. Tek më të vegjlit, informojnë mjekët, forma e virusit ka qenë më e ashpër, duke u shoqëruar madje edhe me temperaturë. Por, sipas mjekëve, nëse trajtohet në kohë, viroza nuk zgjat më shumë se 4-5 ditë, ndërsa këshillojnë përdorim të vitaminës C dhe duke evituar në maksimum antibiotikët.

Marketing

“Virusi po përhapet me anë të kollitjeve, teshtitjes, me rrjedhje të hundës. Ata që janë më kronik, kanë më shumë komplikacione, ku janë përfshirë të gjitha moshat – prej fëmijëve deri te të moshuarit. Sipas simptomave, duhet të merre edhe terapia, derisa nuk ka komplikacione”, tha doktor Merale Ismaili Idriz, nga poliklinika e Bit Pazarit. Edhe në Spitalin e Tetovës janë lajmëruar pacientë me të njëjtat simptome, ku preket edhe sistemi respirator me pengesa në frymëmarrje edhe me kollitje, me temperaturë të lartë, vjellje, marramendje, etj.

“Ditët e fundit është paraqitur një mega-virus që prek sistemin respirator dhe sistemin pastro-intestinal me kokëdhimbje, marramendje, dhe disa simptoma të tjera që prekin sistemin nervor qendror. Ka përfshirë të gjitha grupmoshat, por më të rrezikuar janë pacientët me imunitet të dobët që vuajnë nga sëmundjet e ndryshme kronike qoftë ato kardiovaskulare e të tjera, ku nuk përjashtohen edhe fëmijët, gjegjësisht ata të moshës 2-8 vjeçare”, tha për gazetën KOHA, doktor Rexhep Emurllai nga spitali i Tetovës.

Mjekët thonë se kemi të bëjmë me një sëmundje virale, që shfaqet në formën e rrufës dhe laringjitit. Ata këshillojnë prindërit të përdorin antibiotikët vetëm kur i rekomandon mjeku. Sipas tyre, shkaqet e virozës janë ndryshimet e menjëhershme të temperaturave, lagështia, ndotja e ambientit… të cilat shkaktojnë probleme në pjesën e sipërme të rrugëve të frymëmarrjes, në faring dhe laring. Më të predispozuar për t’u prekur nga këto viroza janë fëmijët, personat alergjikë dhe të moshuarit, të cilët janë më të ndjeshëm nga ndryshimet klimaterike dhe nga cilësia e ajrit. Por, nuk përjashtohet as pjesa tjetër e popullatës.

“Të gjithë jemi te rrezikuar për t’u prekur nga të tilla viroza”, thonë mjekët. Ata sqarojnë se, nëse brenda 5 ditëve viroza nuk ka kaluar, atëherë kemi të bëjmë me komplikacione.

Tri ditët e para, thonë mjekët, është normale që temperatura të jetë e lartë dhe mund të zgjasë deri në pesë ditë. Por kurrsesi nuk duhet ndërhyrë me antibiotik, sepse i duhet lënë kohë organizmit të reagojë. Thjesht, këshillojnë mjekët, ajo duhet mbajtur nën kontroll dhe vetëm nëse ajo ripërsëritet, pra nëse pas një periudhe qetësie rishfaqet, atëherë duhet përdorur antibiotiku. Lëngjet e frutave dhe çajet e shumëllojshme bimore japin efekte lehtësuese në rrugët e frymëmarrjes dhe në fyt, duke bërë që kolla të zbutet. Mjekët thonë se është periudha e entro-viruseve, prandaj duhet patur kujdes në higjienë dhe në të ushqyerit.