Përkundër ambientit të pavolitshëm në të cilin sundojnë meskinët dhe zhurmaxhinjtë, mendoj se intelektualët kanë obligim dhe detyrë të gjejnë mënyrën për të sjellur pakëz dritë në këtë errësirë. Ata, së paku, duhet të thyejnë bindjen që popullit ia kanë ngulitur në kokë pallavraxhinjtë se kinse intelektualët heshtin gjithmonë kur paraqiten paqartësi në shoqëri.
Shkruan: h. Sulejman ef. Rexhepi

Koeficienti i inteligjencës (IQ) te njerëzit mendjetrashë është diku rreth 50. Njerëzit e atillë kanë shumë pakë dituri sepse nuk kanë aftësi të natyrshme për të mësuar. Nga ana tjetër, budallenjtë nuk janë njerëz jo inteligjentë por ata nuk përpiqen asnjëherë të pasurojnë diturinë e tyre. Dhe, derisa njerëzit e kategorisë së parë zakonisht shohin punën e tyre dhe nuk ekspozohen publikisht, këta të dytit janë prezentë çdo kund me zhurmën që e prodhojnë, me ofendimet, me nënçmimet që i përdorin si argumente të vetme e të cilat ju shërbejnë për të dalë “fitues” në polemikat artificiale që vetë i nxitin dhe vetë i përfundojnë. Këtu diku gjenden edhe ahmakët të cilët mendojnë se dinë ndonjë gjë e në të vërtetë s’dijnë asgjë dhe vetvetiu janë rrezik për opinionin.

Së këndejmi, shtrohet një pyetje e logjikshme: Çfarë hajri ka nga polemizimi me budallenjtë, çfarë kuptimi ka nëse një njeri i mençur që nuk merret as me shpifje e as me ofendime e nënçmime, bie në nivelin e njerëzve të zbrazët që nuk janë të vetëdijshëm se , në fakt, janë budallenj? Të mos harrojmë se njeriu i mençur thotë diçka vetëm kur ka çka të thotë kurse budallai ndjenë nevojë që gjithmonë të thotë gjithçka. Dhe, pikërisht për këtë shkak, njerëzit që konsiderojnë se kanë sadopak vetëdije, nuk dëshirojnë t’ia lejojnë vehtes zhytjen në llumin e krijuar nga patriotët profesionistë dhe nacionalistët e vonuar, nga policët moralë, nga mbrojtësit kujdestarë të shqiptarizmit, maqedonizmit, turqizmit, islamizmit, krishterizmit…

Vërtetë, çfarë do mundë t’ju thoshin intelektualët dhe njerëzit e vetëdijshëm individëve që në mënyrë aq të përciptë merren me (b)analiza dhe pretendojnë se i kanë zbuluar të gjitha lojërat dhe intrigat nëntokësore e mbitokësore të qendrave të ndryshme vendimmarrëse që kanosen të zhbëjnë ndonjërin nga popujt që jetojnë këtu, fenë e tyre, kulturën, traditat ?

Çfarë t’ju thuhet njerëzve të cilët përhapin tezën idiotike se populli i tyre i di të gjitha andaj nuk i duhet të lexojë libra ? Gjithnjë sipas këtyre përhapësve të mjegullës, popullit i mjaftuaka të dëgjojë llomotitjet e tyre dhe pastaj të gjitha gjërat bëhen. Por, ja që gjërat s’bëhen nga llomotitjet, ato bëhen vetëm nëse Zoti thotë “Bëhu”. Kuptohet, gjërat mundë të ndryshojnë për së mirë edhe nga njerëzit qëllimmirë e vizionarë të cilët mirëqenien e popullit e ndjejnë si mision të vetin.

Sidoqoftë, përkundër ambientit të pavolitshëm në të cilin sundojnë meskinët dhe zhurmaxhinjtë, mendoj se intelektualët kanë obligim dhe detyrë të gjejnë mënyrën për të sjellur pakëz dritë në këtë errësirë. Ata, së paku, duhet të thyejnë bindjen e një kategorie të paktë të njerëzve nga populli që pallavraxhinjtë ia kanë ngulitur në kokë kinse intelektualët heshtin gjithmonë kur paraqiten paqartësi në shoqëri, duke e lënë njeriun e rëndomtë të përballet vetë me ato.

Por, përpara se të thuhet se çfarë duhet të bëjnë intelektualët në këso situatash, duhet qartësuar se kush mund të quhet intelektual. A mund të quhet intelektual dikush që ka një diplomë fakulteti të cilën sot rrallë kush nuk e ka sepse ajo e shkreta po merret shumë më lehtë se leja e vozitjes ? A janë intelektualë skribomanët e fejsbukut që parapëlqejnë të quajnë vehten komentatorë ? A janë intelektualë do farë individë të cilët qëndrimet e veta i shtrojnë përpara këmbëve të çdo garniture politike që vie në pushtet ?

A mundë të quhen intelektualë njerëz që qëllimshëm apo në mungesë të vetëdijes bëhen zëdhënës të ideve dhe lëvizjeve që s’mund të quhen ndryshe përveç antikombëtare e antifetare ? Të këtillë individë dhe të këtilla grupacione ka pasur gjithmonë dhe ato s’duhet të befasojnë, ato duhet të detektohen dhe të marrin përgjigjen e merituar.

Pra, intelektualë janë ata që përdorin intelektin dhe diturinë, ata që hulumtojnë, merren me shkencë, ata që shkruajnë dhe japin kontribut për të ndryshuar e avancuar gjendjen e popullit të tyre dhe të shoqërisë në të cilën jetojnë. Kjo kategori njerëzish, duke shkruar e duke hulumtuar, duke i bërë publike qëndrimet e veta pa marrë parasysh a do shkaktojnë pakënaqësinë e elitave politike, do mundë të rikthejë besimin e popullit dhe t’a bindin atë se heshtja nuk e ka kapluar intelektualin dhe mendimin e shëndoshë kombëtar e fetarë.

Intelektuali i vërtetë e definon vehten pikërisht përmes mendimit dhe fjalës së guximshme të deklaruar publikisht. Ai definohet përmes shkrimeve me të cilat do të dëshmojë kompleksitetin e problemeve me të cilat ballafaqohet shoqëria, kompleksitet ky që i tejkalon shumëfishë pallavrat e gjysëm analfabetëve që përpiqen të profilojnë mendimin publik.

Me këtë rast, natyrishëm shtrohet një pyetje esenciale: A është e gatshme Maqedonia e zhytur në përçarje e përplasje nacionaliste dhe shoveniste të diktuara nga tokmakët që s’po bëjnë gjë veçse po i thellojnë istikamet etnike e fetare me të cilat po i pengojnë edhe integrimet euroatlantike, të dëgjojë zërin e intelektualit ?

A po e kupton Maqedonia se intelegjenca, qoftë shqiptare apo maqedonase, nuk po heshtë, ajo në fakt është e anashkaluar nga mentaliteti ynë që shkrimin dhe hulumtimin nuk e konsideron punë po humbje kohe? A po e sheh Maqedonia se ekzistojnë tendenca që me veprime klandestine , një pjesë e mendimit publik të bëhet pre e manipulatorëve që njohin vetëm rrugën që shpie drejtë xhehenemit?

Kam bindjen se e vërteta ndoshta edhe mundë të vonohet ndonjë here, por ajo gjithmonë ngadhënjen. Kurani Famëlartë e vërteton dhe e dëshmon se xhahilët dhe njerëzit që kanë qëllime të këqija përherë dalin humbës përpara njerëzve mendjendritur.