Kombëtarja e Çekisë i gëzohet mungesës së Zenelit, thekson edhe Rashicën e Muriqin

Faqja zyrtare e Kombëtares së Çekisë e ka publikuar një artikull ku ka njoftuar për listën e lojtarëve të ftuar nga trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, për ndeshjet e nëntorit.

Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshje vendimtare për fatin e në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020 gjatë dy javëve të ardhshme – kur më 14 nëntor do ta vizitojë Çekinë e tre ditë më vonë do ta presë Anglinë në “Fadil Vokrri”, shkruan Gazeta Express.

Për momentin, Kosova radhitet në pozitën e tretë në Grupin A me 11 pikë të fituara nga gjashtë ndeshjet e para – një më pak sesa Çekia dhe katër më pak sesa Anglia.

Përderisa Çekisë do t’i mungojë ylli i skuadrës, Patrick Schick, edhe Kosovës do t’i mungojë Arbër Zeneli, që s’ka luajtur për Kosovën që nga ndeshjet kundër Malit të Zi më 7 qershor për shkak të një lëndimi serioz.

“Për dallim nga ndeshja e shtatorit në Prishtinë, këtë herë në skuadrën e Kosovës janë kthyer Milot Rashica dhe Herolind Shala, që ishin të lënduar për ndeshjen e shatorit. Në anën tjetër, për shkak të lëndimit, në ndihmë s’mund t’i vijë Arbër Zenelin”, shkruhet në njoftimin e faqes zyrtare të Kombëtares së Çekisë.

“Challandes nuk ka bërë shumë ndryshime nga skuadra për duelin e shtatorit, të cilën e fitoi me rezultat 2:1 në Prishtinë. Mesfushori Bernard Berisha është lënë jashtë skuadrës”.

“Golashënuesi më i mirë i Kosovës, që ka luajtur në nivel ndërkombëtar që nga viti 2014, është sulmuesi i Fenerbahces Vedat Muriqi. Ndër lojtarët e tjerë të Kosovës janë edhe Valon Berisha dhe Rashica. Përveç portierit Visar Bekaj, të gjithë lojtarët e Kosovës luajnë jashtë vendit”.

Kosova duhet të ngrihet të paktën në pozitën e dytë në tabelën e Grupit A për ta arritur kualifikimin në Kampionatin Evropian përmes fazës së grupeve. Më poshtë mund t’i lexoni rezultatet që i duhen Kosovës në dy
ndeshjet e nëntorit – kundër Çekisë dhe Anglisë, për ta siguruar kualifikimin.

Kosova eliminohet nëse humb kundër Republikës Çeke.

Nëse Kosova e mposht Çekinë, atëherë mund t’i duhet barazimi kundër Anglisë varësisht nga rezultati i ndeshjes Bullgari – Çeki (nëse Çekia fiton kundër Bullgarisë, Kosovës do t’i duhej të paktën barazim kundër Anglisë; çfarëdo barazimi apo humbje e Çekisë kundër Bullgarisë do ta dërgonte Kosovën automatikisht në Evropian, pavarësisht rezultatit kundër Anglisë).

Nëse Kosova barazon kundër Çekisë, atëherë Kosovës i duhet të paktën barazim kundër Anglisë dhe Çekia duhet të
humbë kundër Bullgarisë.

Nëse Kosova s’e arrin kualifikimin në këtë mënyrë, e ka të siguruar një vend në play-offs, si fitues i Grupit D3 të
Ligës së Kombeve.

evn