Për dy muaj nis punën Agjencia për Siguri Kombëtare pas shuarjes së DSK-së. Deputetët Trajko Dimkov dhe Jovan Mitrevski të caktuar nga komisioni parlamentar për mbikqyrje të punës së DSK-së do të duhet ta përzgjedhin kuadrin që do ta transferojnë nga DSK në agjenci deri më 20 gusht.

Deputeti Artan Grubi u dorëhoq për shkak të angazhimeve të shumta. Mungesa e një shqiptari sipas njohësit të çështjeve të sigurisë Hasim Murtezanti është një lëshim politik i partive shqiptare, në mungesë të një komisioni profesional i cili do të përzgjedhte profesionistët të mos na ripërsëriten rastet e montuara.

“Në këtë rast krijohet një monopol i përzgjedhjes së kandidatëve, ekskluzivisht nga pala tjetër e cila në një farë forme mund të ketë edhe disfavore për kandidatët të cilët janë veçmë pjesë e DSK-së. Detyrimisht është deshur të ketë një përfaqësues shqiptarë. Edhe pse unë shikuar në aspektin professional jam i mendimit se aty përpos përfaqësuesve politik, më e mira do të ishte të kishte pasur njerëz të cilët regrutimin e kandidatëve e bëjnë ata të cilët e njohin punën e sigurisë. Problem shumë serioz i kësaj drejtorie ka qenë edhe punësimi i njerëzve të cilët kanë qenë totalisht joprofesional, të pashkolluar me shkollim adekuat dhe të painteresuar të mbrojnë kauzën shtetërore, të interesuar për të mbrojtur kauzën politike dhe agjenturat e ndryshme politike. Prandaj jorastësisht DSK u shndërrua nga vatër sigurie në vatër pasigurie në veçanti për shqiptarët me montimin e rasteve politike që i kemi pasur nga e kaluara.” – tha Hasim Murtezani, njohës i çështjeve të sigurisë.

Sipas drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare Viktor Dimovski, pjesa më e madhe e të punësuarve të DSK-së do të transferohen në agjencinë e re. Ende nuk janë gjetur hapësirat, por, ai siguron se do të jenë jashtë MPB-së.

Agjencia e re do ti jep llogari kryeministrit, për dallim nga DSK e cila raportonte ministrin e brendshëm dhe ishte nën kontrollin e saj. Murtezani thotë se Agjencia duhet të jetë larg ndikimeve politike.

“E gjithë tendenca është të bëhet reformimi apo menjanimi I ndikimeve politike nga ky agjencion. Me vetë faktin që bëhet shkëputja e DSK-së dhe transferohet në drejtori të posaçme e cila s’ka të bëjë më me MPB-në nënkuptohet se lufta është në drejtim të asaj që të mënjanohen ndikimet politike nga kjo drejtori që është tejet relevante, tejet e rëndësishme në mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike.” – u shpreh Murtezani.

Në komisionin për përzgjedhjen e kuadrit të agjencisë do të jenë edhe nga dy të punësuar në MPB, sindikatin e policisë dhe DSK-së.