Komisioni për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive i ka dhënë dritë jeshile grumbullimit të 150 mijë nënshkrimeve për organizimin e një referendumi të dytë për ndryshimin e emrit të shtetit. Iniciativa është dorëzuar nga kryetari i Kongresit mbarëmaqedonas, Todor Petrov, ndërsa anëtarët e komisionit e vlerësuan si të rregullt dhe e përcollën për procedurë të mëtejme parlamentare.

Pyetja e referendumit:
“A jeni për ndryshim të emrit të shtetit Maqedonia në shteti Maqedonia e Veriut”, është pyetja e cila siç sqaroi Petrov do tu parashtrohet qytetarëve në referendum nëse arrijnë që fillimisht të mblidhen 150 mijë nënshkrime. Iniciativa për mbledhjen e nënshkrimeve është mbështetur fillimisht nga 179 qytetarë.

“Në këtë pyetje qytetarët duhet të përgjigjen me “për” ose “kundër” ose të mos votojnë. Pyetja është formuluar në mënyrë precise. Me iniciativën për referendum shtesë për vendimmarje të qytetarëve në mbarë territorin e Maqedonisë, qytetarët do të kontrollojnë vendimin e sjellë paraprakisht për ndryshim të emrit të shtetit Maqedonia në shteti Maqedonia e veriut në seancën e 11 janarit të këtij viti me amendamentet kushtetuese dhe ligjin kushtetues për implementimin e tyre”, deklaroi Todor Petrov.

Iniciativa tani duhet t’i përcillet kryetarit të Kuvendit, i cili përmes kryeministrit do t’ia dorëzojë KSHZ-së. Pasi KSHZ të njoftojë propozuesit e iniciativës se rreth 33 njësi rajonale janë të gatshme, ata në afat prej 20 ditëve janë të obliguar të dorëzojnë formularët për mbledhjen e nënshkrimeve dhe ato t’i grumbullojnë në një afat prej 3 muajve.

Iniciatori i peticionit është shprehur optimist edhe për faktin që së shpejti do të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe zyrat e KSHZ-së do të punojnë në tre turne dhe gjatë fundjavës. Ai pret që nënshkrimet të grumbullohen në periudhën prej 15 shkurtit deri më 15 maj.