Me vendim të njëzëshëm dhe pa asnjë diskutim, komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve votoi për propozimin për shkarkimin e kryeprokurores speciale Katica Janeva. Mbledhja e mbajt me dyer të mbyllura edhe përkundër insistimit të VMRO-DPMNE-së që këshilli i prokurorëve të deklasifikojë raportin në bazë të së cilit u mor vendimi. Por, pasi këshilli edhe ndaj kësaj kërkese u përgjigj negativisht dhe raporti mbeti si i besueshëm, deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe vetë kryetari i komisionit mbështetën propozimin për mbyllje të seancës.

“Komisioni pa diskutim, me vendim njëzëri e konfirmoi propozimin deri te Kuvendi i Republikës së Maqedonisë që zonja Katica Janeva të shkarkohet nga funksioni Prokuror Special Publik për shkak të menaxhimit joligjor, jo profesional dhe pa përgjegjësi të institucionit Prokuroria Speciale Publike. Po përsëris, se pa diskutim u miratua një zëri ky vendim”, deklaroi Ilija Dimovski.

Deputeti i LSDM-së Muhamed Zeqiri u shpreh i bindur se si në komision ashtu edhe në seancë plenare të gjithë deputetët do të votojnë për shkarkimin e Katica Janevës . Ai shprehi keqardhje që opinioni nuk arriti të mësojë çfarë përmban raporti për Janevën, por tha se shumë shpejtë fajtorët do të dënohen dhe të gjitha spekulimet do të pastrohen.

“Neve si parti politike na vjen keq që seanca e sotme nuk ishte e hapur, mirëpo duhet të respektohet vendimi i Këshillit të Prokurorëve. Shpresojmë që së shpejti i gjithë procesi do të përfundojë dhe fajtorët do të përgjigjen dhe do të pastrohet e gjithë mjegulla me spekulime”, deklaroi Muhamed Zeqiri.

Propozimi për shkarkimin e Janevës i është përcjellur Kuvendit për diskutim dhe votim në seancë plenare të cilën tani pritet ta caktojë kryeparlamentari Tala Xhaferi. Për të shkarkuar përfundimisht Janevën në Kuvend duhet të votojnë dy të tretat e deputetëve, si dhe shumica e deputetëve që ju takojnë bashkësive jo shumicë në vend.

evn