Komuna Çair vë në dispozicion të Universitetit “Nëna Terezë” hapësirat e saj për veprimtari arsimore pa kompensim dhe në kohë të pacaktuar

Kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu dhe Rektori i Universitetit “Nëna Terezë” Prof. Dr. Aziz Pollozhani nënshkruan sot Kontratën për dhënien e hapësirave të dedikuara për veprimtari arsimore që janë pronë e Komunës së Çairit në shfrytëzim të Universitetit “Nëna Terezë” pa kompensim dhe në kohë të pacaktuar duke filluar nga data 26.08.2019 konform Vendimit të Këshillit të Komunës së Çairit me nr. 08-316/7 të datës 10.02.2017.

Marketing

Lidhur me këtë, kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu u shprehet: “Me këtë akt dëshmojmë gatishmërinë e plotë për të përkrahur e ndihmuar në maksimum universitetet tona drejt përforcimit të kapaciteteve të tyre hapësinore dhe në shërbim të arsimit cilësor. Pas lirimit të hapësirave me vendim të Universitetit Shtetëror të Tetovës për mbylljen e studimeve të disperzuara këtu në Shkup, dëshiroj të shpreh faleminderimin tim në veçanti ndaj tyre për kontributin e dhënë gjatë gjithë kësaj periudhe.

Studentët e gjeneratës së fundit të studimeve të disperzuara të USHT-së në Shkup që kanë mbaruar ligjeratat e të cilët duhet të përmbyllin ciklin e provimeve do ti kenë në dispozicion këto hapësira për mbarëvajtjen e sesionit të provimeve, kurse udhëheqësisë së Universitetit “Nëna Terezë” dhe studentëve të saj ju dëshiroj shumë suksese dhe shfrytëzim të këtyre hapësirave në shërbim të përfaqësimit dinjitoz të vlerave tona arsimore.