Komuna e Dibrës apelon për vetëdije më të madhe

Të dhënat e publikuara zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë konfirmojnë se në Dibër janë dy raste aktive të Kovid-19.

Marketing

Megjithatë vonë pasdite në faqen zyrtare të komunës së Dibrës është dërguar paralajmërim se “Kovid-19” sërish përhapet në Dibër, që mbështetet me atë se jozyrtarisht ka tre persona të sapoinfektuar.

“Kovid-19″ sërish po përhapet në Dibër. Jozyrtarisht kemi tre raste të reja sot. Fazën e parë e kaluam me sukses falënderim i disiplinës në respektimin e masave parandaluese. Lehtësimi i masave parandaluese në fazën e dytë dhe pakujdesia gjithsesi kontribuuan për përhapjen e virusit”, citohet mes tjerash në publikim.

Në emër të komunës dërgohet apel për vetëdije më të madhe dhe respektim të masave parandaluese.

“Shmangni tubimet, mbani maska mbrojtëse, mbani distancë fizike dhe higjienë personale. Në ditët në vijim pritet të rritet numri i personave të infektuar. Nëse nuk mbrohemi, ne do të jemi përgjegjës për gjithçka”, apelon Komuna e Dibrës.

Siç kuptohet tre rastet, të gjitha nga qyteti, janë konfirmuar pasdite dhe ato zyrtarisht do të jenë në raportin e nesërm për të sapoinfektuarit në shtet.

Në komunën e Dibrës, e cila ishte vatra e parë e virusit të rrezikshëm në shtet, më 5 qershor ishte regjistruar rasti i parë me Kovid-19 pas 50 ditëve të tëra. Bëhet fjalë për një grua nga Kosovrasti i Poshtëm, e cila është hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup, ndërsa dy ditë më vonë një burrë nga Dibra i cili shërohet në spitalin “8 Shtatori”.

Sot në kopshtin e fëmijëve në Dibër ishte kryer skrining i 69 të punësuarve për Kovid-19 në këtë institucion.