Komuna e Tetovës: Ka filluar pastrimi i deponive nga Xhamia e Pashës

Tetova po ngulfatet nga deponitë e egra që krijohen për rreth lumit Shkumbin.
Ato çdo ditë e më shumë po rriten dhe bëhen problem i madh për banorët që jetojnë afër tyre. Banorët shprehen tejet të shqetësuar për këtë situatë, ata theksojnë se nuk mund të marrin frymë lirshëm nga era që kundërmon çdoherë në këtë pjesë. Kërkojnë nga komuna e Tetovës të marrë masa dhe të pastrojë të njëjtën.

Marketing

“Jo vetëm kjo deponi, por ka edhe shumë tjera që i kemi rreth e përqark, na pengon shumë, frymëmarrje në mëngjes herët kur zgjohemi nuk mund të marrim lirisht, shumë erë e keqe, kundërmon. Ne kërkojmë që të pastrohet, le ta rregullojë komuna. Ata që i zgjedh populli dhe ne i zgjedhim kanë dy mandate dhe të marrin masa të rregullojnë qytetin”,- tha një banor.

“Na pengojnë shumë, të vini më poshtë të shihni çka ka, plot mbeturina. Kemi problem, mbeturina plot, të gjithë hedhin mbeturina. Çka kërkojmë ne, të vijnë t’i pastrojnë”,- theksoi një banor.

Ndërkohë, drejtori i NPK-Tetovë, Xhelal Ceka, thotë se është e pamundur të futet në atë pjesë për shkak të nivelit të lartë të lumit Shkumbin, por premton se ky problem do të zgjidhet.

“Tek lagja e romëve nuk mund të pastrohet për shkak të sasisë së madhe të lumit Shkumbin, pasi nuk ka alternativë tjetër për të depërtuar në atë pjesë, për shkak të mungesës së rrugëve. Ne presim që lumi Shkumbin të pastrohet në atë pjesë e cila tani ka filluar nga Xhamia e Pashës poshtë, do të pastrohen edhe ato mbeturina që janë në atë lagje poshtë”,- tha drejtori i NPK-Tetovë, Xhelal Ceka.

Ceka po ashtu bën të ditur se stacioni i ngarkim-shkarkimit që gjendet në rrugën e Treboshit, nuk do të dislokohet.

“Stacioni i ngarkim-shkarkim që gjendet gjatë rrugës së Treboshit është i përkohshëm deri sa të ndërtohet halla në Falishtë. Ne çdo vit hapim procedurë për tenderim për thirrje publike për vazhdimin e kontratës që ne i sigurojmë me qira atje. Ne kemi vazhduar kontratën dhe marrëveshja është që deri sa në Falishtë të përfundojnë punimet për ndërtimin e hallës, ne do të qëndrojmë atje dhe të gjitha këto të dhëna se do të ndërtojmë lokacionin dhe do bartemi poshtë e lartë, janë të pavërteta”,- tha drejtori i NPK-Tetovë, Xhelal Ceka.

Po ashtu nga komuna e Tetovës theksojnë se NPK-Tetovë ka vite që ka inkuadruar në sistemin e tyre si dhe edhe në një pjesë të fshatrave të malësisë së Tetovës dhe, sipas tyre, shumë shpejt pritet që edhe fshatrat si Brodeci, Veshalla dhe Bozofca të futen nën sistemin e NPK-Tetovë.