Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, gjatë ditës së sotme ka pritur në një takim drejtorët e shkollave fillore në territorin e kësaj komune. Në këtë takim me 9 drejtorët e shkollave u diskutua mbi konceptin e ri të arsimit të promovuar nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, duke shqyrtuar mundësitë e implementimit të tij.

Në fokus të bisedës ishte digjitalizimi dhe kapacitetet që kanë shkollat për qasje drejt këtij procesi. U shpreh gatishmëri për të përkrahur nismën e re dhe për të hapëruar bashkë drejt realizimit të një procesi cilësor edukativo – arsimor duke ndjekur trendin bashkëkohor të mësimdhënies.

Gjithashtu, drejtorët e informuan kryetarin Ganiu edhe mbi mbarëvajtjen e procesit të regjistrimit të fëmijëve në klasë të parë, që kësaj radhe mund të realizohet edhe online. Stafi i shkollave është në gatishmëri të plotë për pranimin e fëmijëve dhe tejkalimin me lehtësi të të gjitha procedurave administrative – teknike.