Konferencë në ASHAM: NATO shkaktar i lëvizjeve pozitive

Debat shkencor për çështjet në lidhje me sistemin e vlerave dhe të sigurisë në NATO, por edhe rekomandime për ndërtimin e kapacitetit institutional në vend për arritjen e standardeve të Aleancës jo vetëm në sferën e sigurisë, paqes dhe stabilitetit, por edhe në sferën e sundimit të së drejtës, ekonomisë.., u mbajt sot në ASHAM, në organizim të Qendrës për Hulumtime Strategjike të Akademisë.

Marketing

NATO nuk është vetëm aleancë politike dhe ushtarake, por strukturë e cila ndërton një sistem të tërë të vlerave në vendet anëtare dhe shkakton lëvizje pozitive në më shumë sfera, në mesin e të cilave edhe ekonomia, përfunduan pjesëmarrësit në konferencë.

“Lidhja mes NATO-s dhe ekonomisë nuk ka të bëjë vetëm me investimet në mbrojtje, kjo është lidhje kthyese. Ne ato rezultate i pamë edhe përmes anëtarësimit. Nuk është i rastësishëm fakti se pikërisht në vitin 2018 kur treguam ambicie të madhe dhe e morëm ftesën për anëtarësim në Bruksel patëm sukses që të shohim rritje gati të katërfishtë të investimeve të huaja”, theksoi para pjesëmarrësve ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska.

Duke theksuar se shtatë  dekada NATO-ja i mbron vlerat e përbashkëta të sigurisë dhe ato politike dhe shpërndan  stabilitet nëpër gjithë botën, Shekerinska theksoi se ky është shkaku se pse shteti jonë në mënyrë strategjike e solli vendimin që ta fillojë procesin e integrimit në këtë aleancë.

“Sepse kështu jemi më të fuqishëm, se sa nëse mbetemi të vetëm dhe të izoluar”,tha Shekerinska dhe shtoi se qëllimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është që sa më shpejtë edhe formalisht dhe faktikisht të bëhet pjesë e kësaj Aleance të fuqishme.

Përkujtoi se deri më tani Protokolli për anëtarësim të vendit në NATO u ratifikua nga nëntë vende anëtare dhe shtoi se edhe Shtëpia e Bardhë dje ka dërguar raportin dhe propozimin deri te Senati që ta ratifikojë Protokollin.

Para të pranishmëve foli edhe kryetari i ASHAM-it, Taki Fiti, i cili theksoi se nuk ka dyshim se përfitimet ekonomike nga anëtarësimi i vendit në NATO do të jenë të mëdha.

Ai theksoi se një numër i madh i studimeve tregojnë se ekziston korrelacion pozitiv mes anëtarësisë në NATO dhe dinamikës dhe cilësisë së rritjes dhe zhvillimit ekonomik të shteteve të reja të pranuara në periudhën prej vitit 1999 deri në vitin 2009.

Fiti sqaroi se ato efekte pozitive transmetohen përmes tri kanaleve – përforcimin e sundimit të së drejtës dhe sistemit efikas gjyqësor, ndërtimin e klimës miqësore të investimeve dhe rritjen e pritjeve të investitorëve vendorë, te të cilët rritet besimi në ekonominë e Maqedonisë.

Ish presidenti kroat Ivo Josipoviq para pjesëmarrësve i tregoi përvojat dhe përfitimet e Kroacisë e cila nga viti 2009 është anëtare e NATO-s.

“Kroacia si shtet i ri i krijuar, si edhe Maqedonia e përcaktoi rrugën e saj dhe vendin e saj drejtë botës perëndimore dhe ne nga fillimi kishim disa qëllime shumë të rëndësishme në politikën tonë të brendshme dhe të jashtme – mbrojtjen e integritetit dhe pjesëmarrjen në institucionet më të rëndësishme shumëdimensionale”, tha Josipoviq dhe shtoi se në shoqërinë kroate kishte koncensus për këto çështje.

Theksoi se  NATO-ja është aleancë e ndryshimit të vazhdueshëm të sistemit të  vlerave të vendeve të tyre anëtare, duke theksuar se disa vende dinë të bien në një situatë të caktuar të regresit politik, duke u lidhur me vlerat, të cilat në mënyrë globale në kuadër të Aleancës ndryshohen dhe më shumë i shërbejnë rrjedhave të reja.

Ambasadori francez në vend, Kristian Timonie theksoi se NATO-ja ka ndryshuar ashtu si kanë ndryshuar kohërat. Theksoi se nuk ka vende të vogla ose të mëdha dhe se të gjitha e kanë rëndësinë e tyre në kuadër të Aleancës dhe shfaqi shpresë që sa më shpejtë ta shohë Maqedoninë e Veriut si anëtare të plotfuqishme.

Ai paralajmëroi se së shpejti edhe Parlamenti francez do ta ratifikojë Protokollin për anëtarësim në NATO.

Përforcimi i sigurisë së qytetarëve në të gjitha nivelet dhe në të gjitha format e kërcënimeve është një nga përfitimet kryesore nga anëtarësimi në NATO, sipas akademikut Vllado Kambovski.

Ai sqaroi se kjo nënkupton edhe siguri në lidhje me pushtetin, bartësit e funksioneve, sepse siç theksoi periudhën e kaluar ishim rasti më ekzemplar i përdorimit të forcës në dëm të të drejtave të njeriut.

“Kishim shtet në të cilin ishin të sigurta disa institucione dhe bartës të atyre institucioneve, por nuk ishin të sigurt qytetarët”, tha Kambovski. Theksoi se për anëtarësimin formal të vendit në NATO nuk do të nevojitet referendum.

Marketing