Konkluzionet e ambasadorëve të BE-së: Në dhjetor s’mbahet konferenca ndërqeveritare

Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së miratuan konkluzionet e zgjerimit. Në këtë dokument nuk përmendet më dhjetori si muaj për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare për anëtarësim. Maqedonia e Veriut vijon të mbesë e bllokuar nga Bullgaria e cila nuk lëshon pe në pjesën e marrëveshjes së miqësisë, që zgjidhja e çështjes së historisë, gjuhës dhe të minoriteteve me Maqedoninë e Veriut të integrohej në kornizën negociuese. Data për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare do të vendoset në draft dokument kur e njëjta të miratohet sqarojnë diplomatë të vendeve anëtare të Unionit.
“Duke pasur parasysh situatën mund të them se s’ka shumë shpresa për konferencë ndërqeveritare dhe nisje të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut këtë vit si pasojë e vetos së Sofjes ndaj Shkupit”,- bëjnë me dije burime diplomatike europiane.
Bullgaria në takimin e sotëm të ambasadorëve ka përsëritur se s’do jep dritë jeshile për Maqedoninë e Veriut në takimin e ministrave më 8 dhjetor ku do të duhet të konfirmohen vendimet e ambasadorëve.
Ndërkohë Shqipëria obligohet të plotësojë dy kushtet e mbetura, plotësimi i Gjykatës Kushtetuese dhe miratimi i Ligjit Anti-shpifje.
Këshilli I BE-së konsideron se me plotësimin e këtyre kushteve deri në mars kur pritet të mbahet samiti, të mbahet edhe konferenca ndërqeveritare me Shqipërinë. Nga këshilli i BE-së njoftojnë se konkluzionet përfundimtare do të duhet të jenë më specifike edhe nëse nuk përfshihet ndonjë datë. Sipas tyre konsultimet vazhdojnë pasi ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së pritet të mblidhen të mërkurën.
Ndërkohë një tjetër zhvillim interesant nga këto përfundime të Këshillit është se për herë të parë është hequr fare Turqia, e cila deri më sot figuronte në të njëjtin grup të vendeve të zgjerimit, si vend kandidat. Një mesazh i qartë ky i BE-së për këtë vend, pas përplasjeve dhe provokimeve të fundit në Mesdhe me Greqinë dhe Qipron.
Marketing