Përfaqësuesi special i Qeverisë për kontestin me Bullgarinë, Vllado Buçkovski pritet që javën e ardhshme të realizojë takime me krerët e shtetit bullgar.

“Shpresoj që Buçkoski të pranohet në Bullgari në nivelin më të lartë të mundshëm, që të mund të bisedojmë hapur për mundësitë për tejkalimin e dallimeve qysh tani, që të ecim përpara drejt mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare” , tha Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

Ministri i Brendshëm, Spasovski përsëriti se identiteti nuk është në tavolinën e negociatave.

Gjatë periudhës së kaluar 3 vjeçare treguam se jemi të përgatitur për kompromise, mbi bazë parimore. Kompromise nuk mund të ketë për asgjë tjetër, përpos për atë se duhet të pajtohemi dhe ta shohim perspektivën tonë për të ardhmen. Historinë do t’ua lëmë historianëve, ata le të bisedojnë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën, por nuk guxojmë të mbetemi rob të së kaluarës! -u shpreh Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Qeveria mbetet në qëndrimin se do t’i vazhdojë bisedimet me Sofjen për tejkalimin e kontestit edhe po të mos arrihet kompromis deri më 10 dhjetor, kur BE përfundimisht do të vendosë nëse do t’i fillojë negociatat për anëtarësim me vendin ose jo. Qeveria po punon me Sofjen në harmonizimin e një udhërrëfyesi të përbashkët për zbatimin e detyrimeve që dalin nga Marrëveshja për fqinjësi të mirë. Së fundmi, Akademia e Shkencave, Kisha Ortodokse Maqedonase dhe Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” përmes një memorandumi të përbashkët, të quajtur “Manifesti maqedonas” i bënë thirrje institucioneve kompetente që me Sofjen të bëjnë negociata parimore, duke respektuar dinjitetin e popullit maqedonas dhe kontinuitetin e tij historik, gjuhësor, kulturor dhe religjioz. Ndryshe, nisjen e bisedimeve me BE-në, Sofja e ka kushtëzuar me respektimin e formulimit të gjuhës në përputhje me Marrëveshjen e 2017-tës, me udhërrëfyes preciz për zbatimin e marrëveshjes dhe heqje dorë nga pretendimet për pakicë maqedonase në Bullgari.