Prej sot Kuvendi i Kosovës është bërë anëtar i Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, në mbledhjen që është mbajtur në Kanada.

Lajmin gjatë seancës së sotme parlamentare e ka bërë publik kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili këtë e vlerësoi si arritje të madhe të diplomacisë së Kosovës.

“Kam kënaqësinë e madhe që t’iu njoftoj se Kuvendi i Kosovës sapo është votuar që të anëtarësohet në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë. Unë jam i gëzuar që pas shumë përpjekjesh kjo nismë për t’u bërë pjesë e këtij institucioni të rëndësishëm ndërkombëtar të parlamentarizmit u kurorëzua me sukses”, tha Veseli.

Ai shtoi se kjo është organizata më e madhe ndërkombëtare parlamentare ku Kosova bënm pjesë dhe ofron një mundësi të jashtëzakonshme për diplomaci parlamentare.

“Nëpërmjet këtij anëtarësimi forcojmë subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë e do kemi mundësi ta promovojmë Kosovën e ndërtojmë marrëdhënie me parlamentarë të vendeve që ende nuk na njohin”, tha kryeparlamentari i kosovës, gjatë dhënies së këtij lajmi në seancën plenare.
Deputetët e pranishëm në sallën kuvendore e përshëndetën lajmin me duartrokitje.