Propozimin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të inkuadrohen në fazën e re të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po shihet si e ngutshme nga Beogradi zyrtar.

Mediet serbe shkruajnë se në rast se BE-ja miraton një kërkesë të tillë, atëherë Serbia automatikisht do të kërkojë që edhe Rusia të jetë në tryezën e dialogut.

E përditshmja “Kurir” shkruan se vizita e presidentit, Vladimir Putin, në Serbi do të jetë ekskluzivisht për çështjen e Kosovës. Kjo vizitë pritet të realizohet në muajin nëntor dhe është e 13-ta me radhë ndërmjet dy presidentëve.

“Beogradi sigurisht nuk është dakord që vetëm Uashingtoni të jetë një lojtar i ri në Bruksel. Në këtë rast, do të ketë këmbëngulje se në tryezën e bisedimeve të ketë përfaqësues edhe nga Moska në mënyrë për të parandaluar një vendim të pafavorshëm për ne”, shkruan ky medium, transmeton Indeksonline.

Ndryshe, kryeministri i Republikës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se përfshirja e vetme e amerikanëve mund të sjellë rezultat efikas në dialog.