Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka porositur se vendi ynë nuk guxon të marrë përgjegjësinë e bojkotit të dialogut në Bruksel, duke thënë se duhet të hiqet qafe një herë e përgjithmonë çështja e Serbisë. Ai ka ripërsëritur se dialogu me Serbinë ka kuptim vetëm nëse përfundon me njohje reciproke, ndërkohë që tha se do ta shtyjë përpara çështjen e korrigjimit të kufirit ku Lugina e Preshevës i bashkohet Kosovës.

“Shpresoj dhe besoj që në ditët dhe javët e ardhshme do të kemi dinamikë të re të procesit të dialogut mes shtetit të Kosovës dhe të Serbisë. E ritheksoj, ky dialog ka kuptim vetëm në rast se ndodh njohja reciproke dhe hapet perspektiva për Kosovën që të fitojmë njohjen edhe nga 5 vendet e BE-së, por edhe mundësia që pas arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi të hiqet edhe vetoja ruse nga Këshilli i Sigurimit dhe Kosova të fitojë një njohje globale. Tash për ditën dhe kohën se kur do të ndodhin takimet tjera të niveleve të larta politike vendos Bashkimi Evropian, natyrisht në mirëkuptim me të dy shtetet udhëheqëse. Por, ritheksoj nuk është fokusi vetëm te një çështje e caktuar e marrëveshjes, do të jetë një mundësi për arritjen e një marrëveshje të gjerë, gjithëpërfshirëse, ku natyrisht se do të përfshihet me insistimin tim, do ta shtyj përpara mundësinë e korrigjimit të kufirit, ku Presheva, Medvegja dhe Bujanoci do t’i bashkëngjiten Kosovës”, tha ai.

Sa i përket korrigjimit të kufijve dhe bashkëngjitjes së Luginës së Preshevës me Kosovës, presidenti Thaçi beson se kjo do të arrihet me një konsensus të spektrit politik në Kosovë dhe mbështetjes së lidershipit dhe qytetarëve në Luginën e Preshevës.

Kreu i shtetit, është shprehur skeptik se mund të ndodhë një marrëveshje mes të dyjave vendeve, megjithatë ai u shpreh se duhet të punojnë.

“Në çdo rrethanë, në çdo mundësi për arritjen e marrëveshjes do të ruhet karakteri, shpirti dhe vetë realiteti multietnik i Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu, nuk do të ketë vija kufitare me baza etnike, ndërsa mund të jetë precedent pozitiv pse jo, ndodh njohja reciproke, por do të punojmë maksimalisht që të kemi një marrëveshje të vullnetit të dyanshëm dhe pastaj nëse arrihet kjo marrëveshje, gjë që unë jam skeptik se mund të arrihet, sepse shoh mundësi shumë të vogla, por duhet të punojmë. Kosova nuk guxon të marrë përgjegjësinë e bojkotit të dialogut apo të dështimit të marrëveshjes. Prandaj, mendoj se në këto ditë ose spektri politik kosovar do të jetë më aktiv dhe më i gjallë në kuptimin e arritjes së një marrëveshje të një konsensusi sa më të gjerë gjithëpërfshirës, të një delegacioni të formuar nga Qeveria, ku do të marrin pjesë edhe parti të ndryshme të opozitës, ato që duan të marrin përgjegjësi. Tek e fundit tërë procesi do të jetë transparent, askush nuk ka të drejt vet të vendos për asgjë, gjithçka do të shkojë përmes parlamentit dhe mundësia e referendumit”, tha presidenti.

Më e rëndësishmja për presidentin e Kosovës është që të hiqet qafe një herë e përgjithmonë çështja e Serbisë. Presidenti Thaçi ka folur edhe rreth rastit të shefit të AKI-së Shpend Maxhuni, ku tri ditë më parë doli lajmi se në veturën e familjarëve të tij policia ka gjetur narkotikë dhe armë, por ai nuk e ka qartësuar nëse do të ndërmarrë masa, duke thënë se do të presë nga autoritetet përkatëse të shikojnë se çka ka ndodhur.

“Unë përcjell të gjitha zhvillimet edhe politike, edhe në aspektin e sigurisë në Republikën e Kosovës, pres të gjitha autoritetet përkatëse që kanë përgjegjësi të shikojnë në hollësi të gjitha zhvillimet, ndërkohë ne do të jemi këtu”, tha Thaçi.