Kosova sot rihap kufijtë tokësorë me vendet fqinje

Sot (e hënë) në Kosovë do të hyjë në fuqi faza e tretë e lehtësimit të masave që ishin ndërmarrë për të parandaluar përhapjen e epidemisë së koronavirusit.

Marketing

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, tha se që nga dita e hënë, do të hapen kufijtë tokësorë të Kosovës.

“Shfuqizohet vendimi për mbylljen e kufijve të Kosovës, por të gjithë personat obligohen t’u nënshtrohen kontrolleve mjekësore në kufi dhe obligohen që t’i zbatojnë masat kundër Covid-19”, tha Kurti, në një konferencë për medie, së bashku me ministrin e Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia.

Ministria Vitia tha se do të hapen këto pika kufitare: Merdar, Vërmicë, Kullë, Han i Elezit, Jarinjë dhe Dheu i Bardhë. Ai tha se ata që hyjnë në Kosovë nuk do të detyrohen të futen në vetizolim, nëse kanë dëshmi se kanë kryer testin për Covid-19 dhe kanë rezultuar negativ.

“Të gjithë personat që hyjnë dhe posedojnë rezultat negativ të testit COVID-19 jo më të vjetër se katër ditë, nuk i nënshtrohen procedurave të vetizolimit. Kurse ata që nuk e kanë testin detyrohen që të vetizolohen për shtatë ditë”, tha ai.

Vitia nparalajmëroi se pas një jave do të bëhet vlerësimi për mundësinë e hapjes së kufijve ajrorë.

Në kuadër të lehtësimit të masave, nga dita e hënë do të rihapen baret, restorantet dhe qendrat tregtare. Do të rihapen edhe çerdhet dhe kopshtet e fëmijëve.

“Nga dita e hënë, do të rihapen çerdhet dhe kopshtet për moshat 0 deri 5 vjet, zyrtarët publikë do të kthehen në punë në të gjitha institucionet dhe do të lejohen shërbimet e taksive”, tha Vitia.

Ai tha se vendimi për lehtësim të masave parandaluese është marrë duke u bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, i cili ka vlerësuar se tani “ekziston një rrezik i reduktuar nga pandemia”.

Deri më tani autoritetet e Kosovës kanë raportuar për 1,083 persona të infektuar me koronavirus, prej të cilëve 30 kanë vdekur. Rastet e para me koronavirus në Kosovë janë shfaqur më 13 mars.

Autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik dhe kanë ndërmarrë masa kufizuese, përfshirë mbylljen e shkolllave dhe të bizneseve. Këto masa kanë nisur të hiqen gradualisht. Faza e parë e lehtësimit të masave ka nisur më 4 maj, kurse faza e dytë më 28 maj.

Autoritetet e shëndetësisë kanë thënë se, pavarësisht prej heqjes së kufizimeve, janë të domosdoshme masat mbrojtëse, si: maskat, ruajtja e distancës dhe kujdesi i shtuar i higjienës.

Marketing