Kosova synon shpërblimin Oscar me filmin “EXIL”

Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar se filmi “Exil” i regjisorit Visar Morina është propozuar nga ana e Kosovës për garën e çmimeve Oscar.

Marketing

“Në janar dhe shkurt filmi shfaqi premierën botërore dhe atë evropiane në Sundance dhe Berlinale. Këtë jave ‘Exil’-i u përzgjodh nga komiteti selektues që të jetë propozimi i Kosovës për kategorinë Best International Feature të Oscars”, thuhet në njoftim.

Në gusht “Exil” fitoi çmimin kryesor të Festivalit të Sarajevës, Zemrën e Sarajevës, në kuadër të kategorisë kryesore.

Filmit “Exil” të regjisorit Visar Morina i ndahet çmimi kryesor në Festivalin e Sarajevës

Filmi flet për personazhin Xhaferi -me origjinë nga Kosova (luajtur nga Misel Matieviq), një inxhinier i kimisë që jeton në Gjermani, i cili dyshon që është bërë shënjestër e kolegëve të tij racistë.

“Filmi është një portret i gjeneratës së integruar të emigrantëve, të cilët pavarësisht arritjeve personale rrallë lirohen nga ndjenja e të qenurit të huaj. Konsiderojmë se ky film, flet në mënyrë shumë universale, jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë ata që largohen nga vendlindjet e tyre për të gjetur qytete të reja që kurrë nuk u shëndrruan në shtëpi. ‘Ekzili’ nxit një dialog aq të munguar mbi politikat e mikpritjes”, ka thënë komiteti selektues, pas përzgjedhjes së filmit.

‘Exil’-i është bashkëprodhim në mes Gjermanisë, Kosovës dhe Belgjikës, prodhuar nga Komplizen Film – Gjermani, Ikonë Studio – Kosovë dhe Frakas nga Belgjika.

Komiteti selektues i miratuar nga Akademia e Çmimeve Oscars ishte e përbërë nga kineastë kosovarë: Sevdije Kastrati, Alban Ukaj, Kaltrina Krasniqi, Bujar Kabashi, Doruntina Basha, Ilir Gjocaj, dhe Kreshnik Keka Berisha.

Më 16 qershor, Akademia e Shkencave dhe Arteve në Shtetet e Bashkuara, ka njoftuar se ka shtyrë ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscar, për 25 prill të vitit të ardhshëm, nga 28 shkurti kur ishin bërë planifikimet fillestare.

Pandemia me koronavirus ka mbyllur shumë teatro në gjithë botën, si dhe ka ndalur prodhimin e filmave të rinj.

Kjo Akademi ka shtyrë edhe datën e afatit të fundit të dërgimit të filmave që mund të garojnë për këto çmime, nga 31 dhjetori i këtij viti, në 28 shkurt të 2021-ës.

Marketing