Kosova tërheq kërkesën për INTERPOL

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Ramush Haradinaj, ka kërkuar tërheqjen e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) dhe shtyrjen e kësaj kërkese për vitin e ardhshëm.

Marketing

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës në largim, Donjeta Gashi.

“Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, bazuara në kompetencat si Kryeministër në detyrë, sot kam kërkuar shtyrjen e votimit të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, për vitin e ardhshëm”, ka cituar Gashi deklaratën e Haradinajt.

Kosova kishte aplikuar për pranim në INTERPOL në janar të këtij viti dhe kërkesa e saj ishte pranuar nga Komitetit Ekzekutiv i Interpolit.

Kosova edhe këtë vit ia kishte mësyrë anëtarësimit në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL), Asambleja e Përgjithshme e së cilës, mban punimet prej 15 deri më 18 tetor në Kili. Nikoqiri i sivjetmë i Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate, ditë më parë ua ka dërguar ftesat zyrtarëve të Kosovës, për të marrë pjesë në takimin vjetor të 88 të vendeve të kësaj organizate.

Megjithatë, më herët, zyrtarët e zyrës së ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës në largim, Behgjet Pacolli, nuk i janë përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë, lidhur me përgatitjet dhe gjasat e vendit për t’u anëtarësuar në INTERPOL.

Por, ndarjet brenda kësaj ministrie, lidhur me atë nëse Kosova duhej të tentonte gjatë këtij viti anëtarësimin e saj në këtë organizatë, kanë qenë të dukshme qysh më herët.

Anton Berisha, zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Kosovës në detyrë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se edhe më herët ka shprehur qëndrimin e tij, nuk është mirë të sfidohet Kosova, përderisa nuk është arritur një masë kritike e pajtueshmërisë me partnerët e vendit për arritjen e një rezultati.

“Unë kam rezerva në vazhdimësi për të shkuar në këtë proces. Në qoftë se do të ketë sukses, kjo do të jetë meritë e atyre që e kanë shtyrë (procesin) dhe jo e imja. Por, nëse nuk kanë sukses, unë nuk marrë përgjegjësi sepse unë mendoj që duhet analizuar situata në përmasa reale. Politika dhe diplomacia janë reale dhe nuk janë dëshirë. Jam shumë skeptik për suksesin”, tha Berisha.

Njohësi i zhvillimeve politike, Armend Muja, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që për anëtarësim në INTERPOL, Kosova nuk ka pengesë politike, në kuptimin që nuk është kusht për anëtarësim në këtë organizatë të qenit ose jo anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Gjithashtu, sipas tij, Kosova i plotëson edhe kriteret operacionale dhe teknike për të qenë pjesë e kësaj organizate policore. Por, siç thotë ai, problemi kryesor në këtë rast për Kosovën është beteja politike për të siguruar votat e dy të tretave të anëtarëve të INTERPOL-it, të nevojshme për anëtarësim, që nënkupton votat e 120 deri në 126 vendeve. Këto vota, siç thotë Muja, Kosova nuk kishte arritur t’i sigurojë në tentimin e vitit të kaluar për anëtarësim, në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it, që u mbajt në Dubai dhe situata , sipas tij, nuk duket të jetë e favorshme për Kosovën as në tentimin e këtij viti, në Kili.

“Unë mendoj që ka qenë një hap i ngutshëm sepse jam më se i bindur që edhe brenda dikasterit qeveritar e dinë sigurt që nuk kanë votat e mjaftueshme për të kaluar dhe në këtë rast, pa qenë të sigurt, është vetëm edhe një fiasko e llojit të UNESCO-s, të herës së kaluar. Edhe ky aplikimi i ri, pa qenë të sigurt, vetëm se e poshtëron Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe e zbeh pozicionin e saj gjatë dialogut (me Serbinë)”, tha Muja.

Marketing